Pasi pandemia të ketë kaluar a mendoni se bota do të jetë e njejta ?

“Pasi pandemia të ketë kaluar, a mendoni se bota do të jetë e njejta?”
Kjo ese na u kërkua në lëndën e letërsisë dhe nuk mund të rrija pa e ndarë dhe me ju mendimin tim…

Duket sikur planeti ynë ndaloi së rrotulluari e bashkë me të më në fund ndaloi dhe lokomotiva e çmendur e progresit, që nuk diti të frenonte për asnjë sekondë.Tashmë asgjë nuk është njësoj.Asgjë nuk po funksionon.Toka po shkarkon nga supet e saj të rraskapitura barrën e miliona viteve që çdo njeri në këtë planet ia vuri palë-palë. U desh një trup mikroskopik të sillte këtë ndryshim gjigand, a thua sikur, ne, dominuesit e natyrës, të kishim qenë të paaftë gjithë këto vite për të ndryshuar vetë jetën tonë.
Çdo motorr është fikur e madje dhe ato pak herë që ndizen, nuk zgjasin shumë.Janë ata, udhëheqësit tanë, që me kronometër në dorë na numërojnë minutat e lejuara dhe orët e palejuara.Për të mirën tonë ,sigurisht. I gjithë ky “burgim” do ia vlejë,jo vetëm për të mposhtur virusin, por për të mposhtur dhe veset tona.
Toka kishte nevojë të merrte frymë,ashtu si ne kishim nevojë të reflektonim e të kuptonim se cila detaje kanë më shumë rëndësi. Pavarësisht se dëmët në jetë njerëzish dhe në ekonomi do të jenë të parikuperueshme, në anën tjetër të medaljes, njerëzimi mori një dhuratë të paçmueshme:rikuperimin e kohës së humbur me familjen.

Njeriu harrohet pas impenjimeve e ndonjëherë harron të vlerësojë edhe ngjarjet më monotone, më të bezdisshme, ato të cilat nuk e kishte menduar kurrë se do të kishin rëndësi në përditshmërinë e ekzistencës së tij.
Është ende dita e njëzetë e vetëizolimit dhe ndjenja e pendesës ka filluar të më godasi fort në shpirt dhe në mendje.
Pendohem që nuk takova gjyshërit fundjavën e 7-8 marsit .Pendohem që nuk shkëmbeva disa minuta më shumë me mësuesit ditën e hënë. Pendohem që nuk përqafova fort të gjithë shokët e shoqet, ndonëse nuk këshillohej kontakti fizik…Më mungojnë shumë të gjithë dhe jam e sigurt që çdo njeri i mbyllur brenda katër mureve po reflekton njejtë si unë. Nuk e kishim menduar kurrë se do të na mungonte zgjimi herët në mëngjes .Nuk e kishim menduar kurrë se do të na mungonte shkëmbimi në rrugë me njerëz të cilët ua shohim fytyrën vetëm një herë në jetë.Nuk e kishim menduar kurrë se do të na mungonin të bërtiturat e fëmijëve në sheshin e çdo pallati në lagjet tona.
Na mungon gjallëria, liria, zhurma, pluhurat, të gjitha difektet dhe të mirat e qytetit tonë.E kuptuam se çdo ditë e shpenzuar ulur në kafene është një humbje e madhe e kohës .Jeta është kaq e bukur e ne duhet të vrapojmë për të kapur dhe shijuar çdo moment. Bota do fillojë sërish xhirimin e rrotave të saj të palodhura dhe ne duhet të bëhemi njësh me të.Ajo e ka vërtetuar se pavarësisht vështirësive do të arrijë perseri aty ku ishte e ndoshta do të bëhet akoma dhe më mirë.
Ashtu si bota, edhe unë jam gati.Nuk ka më kohë për të humbur. Të gjithë jemi në pritje, për të vrapuar, për tu bërë njerëz më të mirë, për të dhënë dashuri, për të dhuruar përqafime e fjalë të ngrohta sepse kurrë nuk do e kuptosh se cila mund të jetë dita e fundit që ke mundësinë ta bësh këtë gjë.
Asnjë ditë nuk është e sigurt , ama, në të sotshmen duhet të bëjmë maksimumin.Shumë u frymëzuan e shumë u shkatërruan , por pasi gjithë kjo të mbarojë të gjithë do të dalin nga shtëpitë ndryshe nga ç’hynë. Bota nuk do të jetë më e njëjta dhe për këtë jam e bindur.