Voskopojarët e Serbisë dhe Hungarisë/ Një këndvështrim ndryshe i historisë së Voskopojës

Më të këqijtë e njerëzve më shpërfytyruan mua të mjerën. Dashtë Zoti të të kthejë bukurinë tënde të parë, me ndihmë të Shën Prodromit!…

Nuk do t’i nisja këto radhë, nëse nuk do të isha i bindur për shkëlqimin ende rrezatues në historinë moderne dhe në ndërgjegjen kombëtare të një ylli të vdekur. Disa autorë e kanë perifrazuar si meteorë në qiellin e barbarisë dhe injorancës disa të tjerë si Athina e dytë apo si qyteti më i madh pas Stambollit!

Voskopoja është nga të paktat qendra të borgjezisë mesjetare, shkatërrimi i të cilave solli ndriçimin dhe prosperitetin e qyteteve të tjerë shqiptarë dhe jo vetëm, mbase është shembulli më i mirë se si nuk duhet të jetë Shqipëria sot me vulgun, varfërinë, nepotizmin, korrupsionin, vanitetin oriental, i lidhur ky me injorancën dhe kompleksin e inferioritetit. Ajo përbënte një yjësi bashkë me Grabovën, Niçën, Llëngën, Shipskën, Gramushtën, Nikolicën, Linatopin etj., të cilët pulsonin ndoshta me droje errësirën e shekujve dhe retë e pluhurit të shkretëtirës në këtë cep të ndërmjetëm kulturash. Voskopojën nuk e përfaqësojnë medoemos tempujt e mbetur si zonja mondane, të stërplakura nga kohë barbare që përpiqen të ruajnë në vetvete fisnikërinë dhe madhështinë e dikurshme, dëshmitare ende kryeneçe të një epoke të artë, as rrugët e gjera e urat. As mali kryerëndë i Kosta Mandos që ka parë skena martirizimesh nën këmbët e tij, as mijëra gurësh të pirgjeve të shtëpive të përvëluara dhe që ende rënkojnë duke kërkuar shpagim, as Çezma e Floririt, vend ku bukuroshja e Voskopojës këmbeu unazën me trimin e maleve që u vra; madje as Guri i Madh megalitik poshtë Shën e Premtes, i cili e ka një legjendë dhe një emër të gdhendur… Nuk është as kujtimi për tempullin e dijes dhe Iluminizmit, Akademinë e Re dhe Bibliotekën, as kujtimi për Shtypshkronjën e dytë të Perandorisë, as ujësjellësit, çezmat dhe as mullinjtë me ujë që dora e kujdesshme e Dhori Falos i ka saktësuar me aq dashuri e kujdes në librin e tij…

Përtej shumë artikujve të stërshkruar blogjesh turistësh klimaterikë e kulinarë, përtej faktit se ky qytet është një skenë mbi 200-vjeçare krimi ose një nekropol i pafund rrënojash ku nuk mund të gjesh një njeri të gjallë, siç i shkruante koloneli francez Ordion vajzës së tij rreth dy vjet pas shkatërrimit të vitit 1916 (skena te tilla krimi Shqipëria mesjetare ka njohur jo pak), Voskopoja përfaqëson edhe kujtimet për njerëzit. Pikërisht madhështia e këtij qyteti që herë-herë ka marrë përmasa mitike, janë banorët e tij. Mungesa e një materiali arkivor të dorës së parë për zonën, e lidhur kjo me një larmi burimesh bibliografike shpesh të dyshimta, krijuan shumë trillime dhe fantazi. Spekulimi më i shpeshtë është ai që i përket numrit të popullsisë në kulmin e zhvillimit, i cili vërtitet në autorë të ndryshëm nga 5000 banorë deri në numra fantazmagorikë 70 000 apo 100 000 banorë. Fakti i ekzistencës së 24 kishave, tre prej tyre bazilika dhe një manastiri, tregon për një popullsi të konsiderueshme për kohën.

Siç shihet nga dy fotot e bëra në vitin 1906, pra dhjetë vjet para shkatërrimit të fundit, tregojnë një qytezë me rreth 500 shtëpi. Duke marre numrin më pesimist prej gjashtë anëtarësh të një familje në fillim të shekullit XX, kemi një popullsi me të paktën 3000 banorë në kohën e bjerrjes si qytet. Duke marrë parasysh numrin e rrënojave dhe sipërfaqen e qytetit prej rreth 180 hektarë e sipërfaqen e blloqeve të banimit, mund të konkludojmë në një numër të përafërt e me logjik prej rreth 20 000 deri 22 000 banorë në kulmin e zhvillimit. Natyrisht një qytet shumë i madh për kohën. Sado të ketë qenë, Voskopoja në sytë e vllehëve, por edhe shqiptarëve të tjerë, është ende një vizion, një qendër ideale.

Siç shihet nga dy fotot e bëra në vitin 1906, pra dhjetë vjet para shkatërrimit të fundit, tregojnë një qytezë me rreth 500 shtëpi. Duke marre numrin më pesimist prej gjashtë anëtarësh të një familje në fillim të shekullit XX, kemi një popullsi me të paktën 3000 banorë në kohën e bjerrjes si qytet. Duke marrë parasysh numrin e rrënojave dhe sipërfaqen e qytetit prej rreth 180 hektarë e sipërfaqen e blloqeve të banimit, mund të konkludojmë në një numër të përafërt e me logjik prej rreth 20 000 deri 22 000 banorë në kulmin e zhvillimit. Natyrisht një qytet shumë i madh për kohën. Sado të ketë qenë, Voskopoja në sytë e vllehëve, por edhe shqiptarëve të tjerë, është ende një vizion, një qendër ideale.

Në fund të shekullit XVIII lëvizja e dhunshme e voskopojarëve nga vatrat e tyre atërore, shkaktoi një rrymë të përgjithshme emigracioni që përfshiu të gjitha vendbanimet fqinje që kishin fatin e Voskopojës. Numri i atyre që u larguan për një fat më të mirë duhet të jetë shumë i madh për kohën, na kumton dr. Konstantina Karakosta një nga studiueset bashkëkohore mbase më të mira të emigracionit të voskopojarëve në territoret e Austro-Hungarisë. Madje emri voskopojar mori një kuptim më të përgjithshëm duke u quajtur kështu ata që merreshin me tregti, zejtari dhe bartësit e progresit dhe zhvillimit.

Në këtë artikull mund të prekim vetëm në mënyrë shumë të përmbledhur aspekte nga jeta e emigranteve vllehë në Serbi, sepse materiali që disponojmë për ta është shumë i larmishëm dhe i vlefshëm nga ana historike. Siç thekson studiuesi serb Dushan Popoviç në veprën e tij për Cincarët (cincarë quhen vllehët nga sllavët si pasardhës të veteranëve të Legjionit V romak nga vllahishtja Cinci “pesë”), “veçanërisht voskopojarët dhe më pas te ardhurit nga Vlasti dhe Shatishta ishin ata që çuan në krijimin dhe zhvillimin e klasës borgjeze të qytetit të Beogradit dhe krahinave përtej lumit Sava…dhe luajtën një rol shumë të madh në jetën tonë publike”…Sipas të njëjtit autor, përgjigja e pyetjes se ç’kuptohet me emrin Cincar nuk është aq e thjeshtë. “Cincari me prejardhje është ilir ose thrakas, sipas gjuhës është roman, me besim fetar është ortodoks, ndërsa kulturalisht, sidomos në qytete, ndihet grek. “Veigandi kishte vënë re se në Vjenë, Budapest e Beograd kishte shume vllehë të famshëm, të cilët në mënyrë të rrejshme shfaqeshin si grekë. Sremaci i përshkroi kështu borgjezët e mëdhenj: “Të gjithë ata ishin vllehë ose grekë, them kështu, sepse nuk mund të thotë askush se ç’janë në të vërtetë vllehë apo greke”. “Tendenca për të bërë ekonomi e për të mbledhur para është një nga karakteristikat themelore te tyre. Me këtë veçanti njihen në botë dhe në popullin tonë- thotë Popoviç. Shumë shpesh fjala “cicar” në serbisht ka marrë kuptimin e cingunit, kopracit dhe shprehja ‘’të bësh si cincar do të thotë të bëhesh koprac”. Njehsimi i vllehëve me grekët u forcua më shumë kur grekët morën pavarësinë ndaj turqve. Por mos të harrojmë se vllehët që vinin nga trojet shqiptare quheshin arvanito – vllehë dhe në Serbi njiheshin si Arbanas apo Arnautë. Për arsye konkurrence në tregti, për faktin se vllehët u shmangeshin detyrimit ushtarak duke mos vajtur në luftë, por merreshin me tregti dhe donin kishën e tyre, midis serbëve dhe vllehëve kishte paragjykime, madje edhe përplasje….

Në Ballkan qendrat kryesore që mikpritën voskopojarët ishin Ohri, Manastiri, Krusheva, Milovishta, Nishi, Novisadi, Velesh, Karlovici, Kraina, Zemuni e Pançevo. Censusi i banorëve të Sremit në vitin 1770 tregon se pjesën më të madhe të familjeve vllahe e përbënin të ardhurit nga Voskopoja, 29 nga 81 familje, në Zemun; 28 nga 76 familje në Kroaci; 28 nga 76 familje kishin të njëjtën prejardhje voskopojare. Në Krajinë të Kroacisë, sipas historianit Vaniçek, pjesa më e madhe e tregtarëve ishin nga Voskopoja, Grabova, Kozani dhe Shipska. Nga Grabova kanë emigruar deri në Australinë e largët Miti Nikolla, Nikola Cicani, Balamacët, Steamitru etj. Nuk ka asnjë dyshim që tregtarët voskopojarë përbënin pjesën më jetësore ekonomike, shoqërore dhe kulturore të krahinave serbe ku u ngulitën. Gjithashtu Venediku, Vjena, Budapesti, Mishkolc, Kecskemet dhe gjithë ish-territoret e pushtuara osmane midis Danubit dhe lumit Tisza me dendësi të vogël popullsie ishin vendet më tërheqëse të nënshtetasve ortodoksë të Sulltanit. Veprimtaria financiare e voskopojarëve Sina, Tirka, Xhehani, Gira, Shpirta, Kurti e shumë të tjerëve, në Vjenë në ndërthurje me praninë e fortë të tyre ne Budapest si të Aleksander Lepurit, Sofia dhe Dhimiter Likës, Naum Miskës, të cilët shpenzuan shuma të mëdha për ndërtimin e katedrales ortodokse të qytetit të tyre, bënë të mundur që këta të kishin rolin kryesor ekonomiko – shoqëror në krahasim me nënshtetasit e tjerë ortodoksë të Sulltanit. Në Budapest kishte 170 familje të ardhura vetëm nga Voskopoja. Ata nuk dëshironin të shkonin në kishat serbe, por ndërtuan kishën e tyre të pavarur. Duke u nisur nga aksioma se asnjë fenomen në Histori nuk është i rastësishëm, do përpiqemi të kuptojmë atë që autorët e quajnë Fenomeni Voskopojë. Duke qenë një vendbanim malor vllah e më pas edhe shqiptar me privilegje nga Sulltani, ky qytet apo politeia (gr. shtet ose njësi autonome) u kthye në një nga qendrat më të rëndësishme tregtare e zejtare të Ballkanit Jugor. Në fillim blegtoria përbënte gurin e themelit për zhvillimin e mjeshtërive dhe bizneseve me karakter shtëpiak-familjar, ndërsa materiali i leshit, kapitali kryesor u përdor si lëndë e parë për kalimin nga blegtoria në fushën e transportit dhe tregtisë. Siç del nga letrat tregtare të voskopojarëve të ndryshëm që janë gjetur në arkivat e Venedikut, nga Voskopoja dhe rrethinat eksportohej zakonisht leshi i përpunuar dhe i papërpunuar, mbulesa, velenxa, qilima, dyllë, duhan dhe lëkurë.

Studiusi, Kandiç, deklaronte se Cincarët kishin një zgjuarsi natyrore, ishin shumë dinakë a thua se janë bërë për të negociuar në tregti midis Lindjes dhe Perëndimit. Po sipas tij “në Bullgari, Maqedoni, Thrakë e në Shqipëri, elita e klasës tregtare i përket këtij grupimi aktiv”. Ndërsa historian Veigand, shkruan; “si të gjithë popujt e tjerë të vjetër që merren me tregti, kështu edhe shumë vllehë kanë sy të thellë që flakërojnë ku duket mprehtësia, inteligjenca, vendosmëria, forca, por edhe dinakëria e tyre”.

Natyrisht rasti i Voskopojës nuk është një fenomen i veçuar. Nëse studion ndokush evolucionin e sistemit ekonomik të Perandorisë Osmane dhe të Perëndimit të asaj kohe, do të dalë në përfundimin se prodhimi kapitalist u shfaq për herë të parë në ato vende ku zhvillohej mjeshtëria e tekstileve, e endjeve. Oborri mbretëror i Vjenës në bazë të politikës emigratore që ushtronte, u jepte privilegje përsa i përket ushtrimit të lirë të fesë, vetëqeverisje dhe shtëpi, ara, kafshë në mënyrë që të jetonin përgjithmonë në ato vise. Qëllimi i perandorëve Habsburgas ishte zhvillimi i marrëdhënieve të vendit të tyre me Lindjen. Nuk është rastësi fakti se një vit pas nënshkrimit të Traktatit të Pasarovicit më 1719, Trieste dhe Fiume u shpallen porte të lira, ndërsa krijimi i Kompanisë Orientale vulosi përpjekjet e Karlit VI për depërtimin e perandorisë së tij në rajonin e gjerë të Mesdheut Juglindor. Marrëveshja ruso-austriake e vitit 1781 parashikonte shkatërrimin e perandorisë Osmane duke bërë të mundur që të kufizohet veprimtaria e tregtarëve “otomanë” dhe transferimi i kësaj veprimtarie në duart tashmë të shtetasve austro-hungarezë por me të njëjtën prejardhje nga Turqia Evropiane. Faktet tregojnë se para shkatërrimit të parë, tregtarët voskopojarë ishin të një moshe të re të cilët nuk mendonin të jetonin përherë në viset ku shkonin, ndërsa më vonë ata marrin me vete edhe familjet e tyre dhe regjistrohen si shtetas austriakë pas presioneve të forta të administratës habsburgase.

Një betim i vitit 1784 për marrje shtetësie austriake është ruajtur deri më sot: “Unë George Janko, me prejardhje nga Grabova e “Turqisë” (nënkupto: Shqipërisë) betohem në Zotin e vërtetë dhe në Trininë e Shenjtë e të pandashme, në Atin, Birin e Shpirtin e shenjtë…se heq dorë plotësisht nga shtetësia ime turke dhe pranoj shtetësinë e madhërive të tyre perandorake e mbretërore të Maria Terezës dhe Jozefit II, perandor romak dhe shtëpisë më të lartë të Austrisë dhe dëshiroj ta kaloj jetën e të vdes në shtetësinë e tyre”.

Kosta Gjadri, ortodoks, 66 vjeç nga Voskopoja, erdhi në Slavoni nëpërmjet Zemunit më 13 nëntor 1735. U vendos në Mishkolc ku ka shtëpinë. Merret me tregti derrash. Pranoi shtetësinë austriake dhe u betua më 1770. I martuar, i gjatë dhe i shëndoshë, me fytyrë të kuqe e flokë të drejtë. Iu dha afat 6 muaj të sjellë fëmijët e tij, ndryshe do t’i konfiskohet pasuria.

Nasto Gjadri, ortodoks, 27 vjeç, i pamartuar, nga Voskopoja, erdhi në Slavoni më 1773. Jeton në Petrijevc, në shtëpinë e Rusha Saluniç. Ka gjatësi mesatare, fytyrë të kuqe të rrumbullakët dhe flokë të krehura mirë të drejta. Pranoi shtetësinë austriake dhe u betua më 1773.

Nga Krushova e Maqedonisë e kishin prejardhjen anëtarë të familjeve tregtare të njohura, të përfaqësive dhe shtëpive bankare: Niciota, Ikonomi, Krinde, Xhufka, Fundo, Biba ose Bibiç, Dimçe, Zisi, Njanja, Fiti, Xhaxhiu, Kondu, Matku, etj. Një numër shumë i madh prej tyre erdhi nga Shqipëria, prandaj edhe një pjesë e Krushovës quhet “Mëhalla Shqiptare”. Kisha e Shën Sotirit u ndërtua si imitim i kishës se Mborjes në Korçë.

Vllehët (remënët) janë komuniteti kulturor- linguistik më i martirizuar në Ballkan Perandoria osmane , tepër xheloze për zhvillimin dhe lulëzimin e Voskopojës, Shipskës, Grabovës, nëpërmjet pasvanëve (oborrtarëve) të saj me moral të ulët e grabiti dhe e dogji disa herë këtë qytet shtet të mesjetës. Rilindasi ynë, Sami Frashëri, në librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, në botimin origjinal, shkruan: “…miqtë më të rrezikshëm të shqipëtarëve janë turqit, sllavët dhe grekët. Miqtë më të mirë e më besnikë janë vllehët (rëmënët) Por shqipëtarët të kenë kujdes se ata janë të zgjuar”….

Vllehët, tregtarë dhe bamirës të mëdhenj

Studiuesi Shvarder kishte vënë re se rrallë rekrutoheshin në ushtri dhe për këtë arsye nuk kishin mundësi të shfaqnin “guximin e tyre trakas”, ndërsa në periudhën e luftës kundër Napoleonit, Simpsien ankohej te autoritetet publike të Zemunit se midis vllehëve dhe çifutëve portugezë kishte shmangie nga detyrimi ushtarak”.

Me njohjen nga Porta e Lartë e nënmbretit të Egjiptit, shqiptari Mehmet Ali kishte shumë besim te vllehët duke ngritur në fronin e Patriarkut të Aleksandrisë Jerotheon nga Klinova e Epirit. I beson menaxhimin e pronave të pamata të tij dhe lundrimin mbi Nil mecovitit Mihal Toshicës, i cili me nipin e tij Nikolla Sturnara krijojnë shtëpinë e famshme tregtare në Mesdhe me seli në Livorno. Vëllezërit nga Mecova Arhondët, Avgjer e Georgio Averof kontrollonin importin e drithërave nga Rusia, ndërsa Miha Cirli nga Nevesta kishte monopolin e pambukut. Të gjithë këta e shumë të tjerë u bënë Bamirësit e Mëdhenj Kombëtar të Greqisë.

Themeluesi i Bankës Kombëtare të Serbisë ishte Joani Anthula, gjithashtu industrialisti Konstantin Shondu, vëllezërit bankierë të famshëm Germani, bankieret Darvari, Shutari, Spirta, Morfi dhe tregtarët e mëdhenj “serbë” Basha, Dhadha, Pangjela, Nasta, Deda, Kanara, Mironi ishin vllehë nga Epiri, të gjithë këta bamirës së bashku me voskopojarët Gjergj Perro, Mihal Ziko e Nasto Kojsorri.

Rast tipik bamirësie ishte ai i Vangjel Thomait, i cili i dhuroi dhomës së tregtisë së Beogradit gjysmën e pasurisë së tij me dëshirën të studionin me këto para fëmijët e tregtarëve. Çifti Nikolla dhe Evgjenia Kiki ndërtoi një spital të madh që ia dhuruan “Rinisë së Beogradit”. Simo Basha i dhuroi Universitetit të Beogradit 100 000 dinarë për të studiuar fëmijët e të varfërve, ndërsa Maria Trendafili i dorëzoi një pjesë të madhe të pasurisë së saj Institucionit Kulturor në Novi Sad ‘’Matica Srpska’’. Familja Anastasi nga Voskopoja dhuroi “Shkollën e Madhe të Beogradit”, e cila më vonë strehoi Universitetin e kryeqytetit jugosllav. Ata ia dolën të ishin një faktor shumë i rëndësishëm në jetën publike duke patur pozicione në administratën e bashkive. Gazeta serbe “Ruzha” botoi më 1865 listën e këshilltarëve bashkiakë të Beogardit si me poshtë: Tipa, Kika, Dalagura, Karaguna, Speci, Papamoska, Toska, Nushi, Gusho, Rondo, Bonda, Duka, Nica, Zuka, Manakia, Papakostopulo, Argjiropulo, Kapa, Kipra etj.

Në vitin 1894 fshatrat vllahe i viziton Veigandi, i cili dëshmon: “kush ka parë fshatrat bullgare me kolibet e vogla të ndyra me baltë ose fshatrat e varfër grekë në Epir, mbetet shumë i mrekulluar kur shikon fshatrat arumune. Jo vetëm se pa përjashtim ndodhen në pozicion shumë të bukur, por më shumë për shtëpitë hijerënda, të mobiluar bukur. Neveska ka 500 shtëpi, të gjitha me gur të latuar, të mbuluar me pllaka dhe pothuajse të gjitha dykatëshe. Zotëron një pastërti që nuk e gjen kurrkund”.

Bodi Gusha (1810-1875), një nga tipat më karakteristikë të Beogradit të vjetër. Ishte njeriu më origjinal dhe më i aftë nga cikli i emigrantëve vllehë në Serbi, i cili me aftësinë e tij për t’u patur zili, durimin dhe meritën arriti majat e elitës kulturore dhe tregtare. Në vitet 1860 dhe 1870 ishte një nga njerëzit më të pasur jo vetëm në Beograd, por në të gjithë Serbinë. Bodi Gusha ishte filantrop, i dhembshur, ishte karizmatik, inteligjent dhe veçanërisht i kulturuar. Dy shtëpitë e tij në Dorgioll të Beogradit ishin të hapura gjithnjë për çdo të varfër dhe të pastrehë. Ishte autodidakt. Njerëzit që e njihnin thoshin se me njohuritë e tij dhe qartësinë mendore shkaktonte admirim. Gusho njihte gjuhën greke të vjetër dhe letërsinë, dinte përmendësh të gjitha faqet e Iliades dhe Odisesë, teë veprës epike të Njegoshit (Gorski Vigenats) dhe përmbledhje të këngëve të Vuk Karaxhiçit. Ishte gjithnjë abonent i parë i çdo libri, kishte gjithnjë vendin e parapaguar gjatë gjithë vitit në Teatrin Kombëtar etj. Vajza e tij Anka është nëna e njerëzve të shquar të letrave e shkencëtarëve Bozhidar e Dushan. Anka në kohën e saj konsiderohej si njëra nga zonjat më të kulturuara të Beogradit. Fliste shkëlqyeshëm frëngjisht, gjermanisht, italisht e greqisht. Njihte historinë e letërsisë vendase e të huaj. Me këtë kulturë nuk ishte vetëm shembull e bashkëshortes dhe nënës, por edhe bashkëpunëtore e burrit të saj i cili ishte një nga themeluesit e Lëvizjes Radikale. Se sa i kulturuar ishte Gusha Bodi flasin akoma edhe sot historitë që janë ruajtur nga beogradasit e vjetër. Disa nga këto histori i tregonin dhe i botoi në gazeta Sremaç, Nushiçi, Gjorgjevici, Kakianski etj, ndërsa kur shkruante tregimin e famshëm Zoti Gjeras, Stefan Sremaçi kishte parasysh Zotin Gusha. Gusha Bodi ishte këshilltar i knjaz Mihalit. Në dorën e tij dha shpirt mbretëresha Ljubica. Për krijimin e artilerisë së parë në Serbi, Gusha Bodi dha 1000 dukate, një shumë që për atë kohë ishte një kapital më vete.

Kulturë dhe qytetari

Udhëtari Eduard Leak shkruante se qytetet më të mëdha greke, më të bukur dhe më të pastër ishin ato vllahe. Luftëtari nga Kreta Janis Karavitis i cili jetoi me ta për katër vjet gjatë luftës me bullgarët shkruan ne Kujtimet e tij: “Vllahofonët janë raca më e kulturuar dhe më e zgjuar. I ndërtojnë fshatrat e tyre në lartësi dhe në pika strategjike”. Naum Korrnara një nga figurat më të rëndësishme në Serbi ishte sekretari i Karagjorgjit , udhëheqësit të Rilindjes së Parë Serbe. Lindi në vitin 1780 ne Voskopojë dhe ishte tregtar i njohur në Beograd dhe një nga themeluesit e Filiki Eterias apo Shoqërisë së Miqve. U martua në Voskopojë me Marien, me të cilën kishin një djalë Petraqin. Në Beograd bëri pasuri të madhe dhe mori pjesë në lëvizjen kundër turqve. U vra me tradhti bashkë me Karagjorgjin dhe kokat e tyre u dërguan në Stamboll ku u shfaqën për shtatë ditë, kurse trupat ua rropën.

Fisnikët e Voskopojës

Për të marrë titull fisnikërie ishte e vështirë për ortodoksët në përgjithësi, por u bënë përjashtime për disa familje vllahe: si familjet Avakum në vitin (1792), Aleksi (1791), Dhimiter Anastasi nga Voskopoja(1792), Bagiç (1791), Damaskini (1799), Demeliç (1796), Dima Papadimu (1792), Duka (1792,), Emanuel (1791), Janko (1791), Paphaxhi(1791), Nikoliç (1791), Haxhi Mihali (1798), familja Astri (1840), Gjeorgjeviç (1813), Pandej (1806), Gjika i Solcices, Manasi (1813) etj.

Gjaku s’bëhet ujë…

“Letër Dërguar për Voskopojë nga Naum Petro Krnar (Kromara)

Më 20 korrik 1812, Beograd

“Dashuri nga unë Naum Kormara, sidomos për ty zonjë, nusja ime, Maria dhe të dashurit tim, Petraq. Sa për mua mësoni se deri më sot, falë zotit, jam mirë. U takova me Haxhi Teodor Mihalin, i cili m’i tha të gjitha lajmet nga ju. Më tha se jeni mirë. Bëji të fala edhe vëllait tim, zotit Dimce. Më shkruani përherë siç do t’iu shkruaj edhe unë. Nuk ju harroj dhe kujdesuni për Petraqin, ta çoni në shkollë. Më shkruaj ç’bëtë për borxhin. Teodori ma tha, por dua të ma thuash ti dhe të mos ketë asnjeri të drejtën të të shqetësojë në pronat e mia, sepse ç’kam, i kam blerë me asprat e mia. Të lutem nëse ka ndonjë mënyrë të ma dërgosh djalin në shkollë këtu që të më falënderojë në të ardhmen e të bëhet i dobishëm për ty dhe për mua. sepse gjaku nuk bëhet ujë”.

  • Julian Jano