Atdheu, plehrat, detyra!

Atdheu im fillon te pragu i shtëpisë Atdheu im është lagjja ime e pistë depresive, mbuluar me shami hundësh, shishe plastike dhalli, qeska tranzicioni dhe lines të përdorura grash, të hedhura fshehtas në
mesnatë, lagjja ime e lodhur e një periferie të stërlodhur nga bjerrja e kohës, aciditeti i shurrës dhe harresa e njerëzve.

Duket sikur helmi i indiferencës kolektive ka shkatërruar çdo ndjenjë normale, ku ne shqipot
kemi raportin më të keq të mundshëm me natyrën, me peizazhin miliona vjeçar duke e shndërruar atë në kërpudha idiote betoni që kemi filluar ti quajmë vila dhe ku çdo bir shqiptari i ndërton ato në toka bujqësore, në majë të malit, në pyje kinse të mbrojtura nga Konventa Ndërkombëtare,
madje ne ndërtojmë edhe në det.

A ju kujtohet fytyra habitore e Ministrit të Transporteve, Olldashi, kur e pyetën për vonesat e rrugës Fier-Vlorë disa vite më pare? Po përgjigja? Thelbi pak a shumë i përgjigjes së tij ishte Evropa, donatori kryesor i rrugës nuk lejonte që rruga të kalonte pranë lagunës së Nartës për shkak se zhurmat e makinave pengojnë rritjen e zogjve shtegtarë në të… Në fakt, ai tha diçka të vërtetë, por të gjithë qeshën. Qeshi edhe ministri vetë, sepse në një vend ku njerëzit vriten si zogj bulevardi, për këta të fundit vdekja ka pamje qesharake.
Fundja, atdhedashuria është respekti për vendin, për të afërmit, për mjedisin ekologjik ku njeriu jeton dhe prodhon, është ndjenja e veçantë për tokën mëmë ku ai ndihet i pakërcënuar dhe jo i tehuajtur Kurse
atdheshitja duket tek plehrat që digjen buzë Shkumbinit, prandaj mos shkoni më tej, mos më numëroni fabrikat e çimentove, detin e falur apo regjistrimin etno-fetar se u mbufata me llogje kafenesh Shikoni plehrat, ndërsa digjen buzë lumit dhe autostradës (çfarë ironie që dje Parlamenti i Shqiperise miratoi një ligj për të sjellë të tjera!!) dhe shijoni aromën e gazit kancerogjen që na çan mushkëritë ashtu sikundër nuk ia ka bërë dot as turku stërgjysheve tona.

Mos numëroni as kioskat me vitrina kristalesh të thyera që masterizojnë mendjet e brezit të ri me mastera
të lagura nga masterizimi i natës dhe në mëngjes kur ëndrra del sheh realitetin e hidhur të papunësisë.

Ne shumë herë me të drejtë qahemi, shajmë dhe mallkojmë maqedonasit për qëndrimin e tyre ndaj shqiptarëve. E unë po ju them se ata, sllavët, janë me të drejtën e tyre paçka se nuk na pëlqen neve dhe disa të tjerëve. Përtej cinizmit, ata, populli një milionësh po mbron një kauzë të drejtë dhe mbi këtë kauzë nuk do tia dijë as për shantazhe grekësh, shqiptarësh apo bullgarësh, madje edhe Krishti, dora vetë tu lutej të ndryshonin emrin, do ta sikterisnin. Kurse ne, ah ne qesharakët e Ballkanit që shesim Atdheun për pesë aspra për tu futur në NATO, raca inferiore e politikës së hanit me dyer të shqyera, ne kombmohuesit e rinj që na katandisi historia sa një thelë kokoshi, e justifikojmë tradhtinë si një atavizëm komunist.

Mjafton që diçka të ketë ndodhur në atë epokë, e mirë apo e keqe, ne e kemi në majë të gjuhës përgjigjen: është mendësi komuniste!

Natyrisht që Shqipërinë nuk e blemë në supermarket për ta shitur lirë në tregun çam, në pazarin e Stambollit apo në atë të Manastiraqit për interesat e një familjeje një shekull më pas. Nëse do të ndizeshin
shkëndijat e para të neopatriotizmit shqiptar, këto nuk do të ishin aspak komente rinore nëpër rrjete sociale dhe patrullat fshatareske o sa mirë më kenë shqiptar, por njëmendësimi ideve në strategji e doktrina, ku çdo burrë shteti i ardhshëm mendohej mirë për hapin politik të radhës, sepse ndryshe do të përballej me pasoja dhe çfarë pasojash se!


Në çdo epokë historike ka një Esat Pashë, por ka dhe një Avni Rustem dhe këtë merreni si të doni, si kërcënim ose jo, kujt i djeg le ta mbajë, sepse ajo, shpata e Demokleut është varur mbi kokat tona dhe spangoja mund të këputet, sipas punëve që bëjmë në këtë botë.

Në kohën kur shteti shqiptar po përjeton një nga vidhisjet më të poshtra në historinë moderne të tij dhe kjo natyrisht për faj të politikanëve antishqiptarë, është DETYRË ta fusim shtetin dhe dinjitetin në binarët e demokracisë.

#JulianJano – © 2011