Kuné-Vain, laguna me emër ushtarak
Në korrikun e vitit 1940 u shpall rezervat gjuetie territori lagunor në perëndim të fshatit Ishull -Lezhë deri në Detin Adriatik. Kjo njihet si “Zona e parë e mbrojtur në Shqipëri”. Janë 78 vite të kësaj lagune me këtë status, Zonë e Mbrojtur, Rezervat, Rezervat Gjuetie, kategoria A, B, me emrin “Vain”, që është quajtur çuditërisht disa vite pas çlirimit dhe pikërisht pas vendosjes në shkurt të vitit 1947 të kompanisë ushtarake.
Nga shpallja e saj e deri në ditët tona në një formë kjo lagunë paraqet jo vetëm dinamikën e ligatinave shqiptare, por dhe të rezervateve të gjuetisë e zonave të mbrojtura. Sot laguna e Vainit, së bashku me disa territore që e qarkojnë “Kune-Vain-Tale”, sipas VKM nr. 432, dt. 28.04.2010, ka statusin e kategorisë IV (IUCN): Rezervat Natyror i Menaxhuar/ Park Natyror.
Historia e Ishull-Lezhës: Në dokumentet historike të shek. XV përmendet shpesh Ishulli i Lezhës. Informacion të gjerë për të ka në Ditarët e M. Sanutos. Lezha u pushtua nga turqit me 1478, qyteti u dogj e u shkatërrua; banorët e tij u zhvendosen në një zonë, jo shumë larg, në ishullin e formuar në grykëderdhjen e lumit Drin. Prandaj edhe mori emrin Ishulli i Lezhës, që u bë një vendbanim kryesor për lezhjanët. Në 5 mars 1501, në Ishullin e Lezhës zbarkoi nga Italia, me trupa ushtarake, nipi i Gjergj Kastriot Skënderbeut, i njohur si Skënderbeu i ri. Ai kryesoi kryengritjen mbarëshqiptare, por pësoi shumë shpejt disfatë. Në vitet 1478 – 1501, për 23 vjet, Ishulli i Lezhës, qe i vetmi vend në bregdetin e Shqipërisë së Veriut, që qëndroi i lirë, i pavarur dhe i vetadministrueshëm. Laguna e Vainit, hoteli i Gjuetarëve (Gjuetisë) dhe fshati në Ishull-Lezhë, janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin.
Për të gjithë ata që nuk e njohin, mund të themi shkurt se hoteli ka vlera arkitekturore, që i ruan ende sot e kësaj dite dhe një histori të tij. Ishull-Lezha, fshati, me një histori të malësorëve kelmendas përreth 250 vite të vendosur në këto territore, etj. Ai është ndër fshatrat më të zhvilluar, me njerëz të emancipuar, në vite ka një dinamike në rritje të popullsisë, 3-5 herë. Laguna me vlera unikale në bregdetin e Adriatikut përbën një pasuri të pamatshme, të lidhur ngushtë me jetën e këtyre banorëve, që në gjenezën e tyre. Banorët e Ishull-Lezhës kanë ardhur duke u shtuar dhe, për fat të keq, laguna duke u zvogëluar në sipërfaqe e gjallesa. Kjo lagunë tashmë nuk përdoret dhe i përket popullsisë vendore, por si një destinacion i pëlqyer turistik pret çdo vit me mijëra turistë.
Laguna në shtrirjen territoriale të saj ka qenë emërtuar nga banorët vendas me disa emra të veçantë, si: Zajet, Ceka, Gjoli i Buajve, Matkeqe, Togëza, Livadhet, etj. Por që nga viti 1947, kur aty u vendos një repart ushtarak, që në terma ushtarak quhej VAIN (shkurtimi i emrave të funksionit të repartit: Vrojtim Ajror, Informacion, Ndërlidhje, nuk mori emër tjetër. Ky emërtim, për shkak edhe të ndenjjes gjatë, për gati 50 vjet të repartit ushtarak, fitoi të “drejtë qytetarie”. Emrat tradicionalë të vendosur nga banorët vendas nuk përdoren më. Tashmë ky emër ka formë zyrtare dhe, në një farë mënyre, ka lënë në hije emërtimet popullore pjesore të territorit të lagunës.

Këtu në vitet 1938 – 1939 ishte mirëstudiuar nga ekspertë italianë vendi dhe ishte vendosur të ndërtohej hoteli, i cili u frekuentua shpesh nga Konti Çiano, dhëndëri i Duçes dhe këshilltari i tij. Zona e parë e mbrojtur e Shqipërisë, si një interier i veçantë, ishte i qarkuar me një sipërfaqe ujore në formë kanali dhe, prej aty, shtrihej sipërfaqja e lagunës, deri ne bregdet. Duket se Çianos nuk ia plotësonte kërkesat vetëm hoteli luksoz për kohën, por ai donte të ushtronte gjueti, vozitje me varka, peshkim, etj., pra në shërbim të hotelit dhe klientëve kërkohej dhe sipërfaqja që e qarkonte, ajo që sot quhet laguna “Vain”.
Ndonëse nuk gjendet ndonjë dokument i shkruar, por logjika thotë se vetë Konti ka nxitur autoritetet përkatëse italiane, që qeverisnin vendin tonë, të miratonin, sipas rregullave, shpalljen Zonë e Mbrojtur të lagunës. Siç tregojnë dokumentet, Konti Ciano vinte e qëndronte tek vila-hotel së bashku me miqtë e vet, aty kalonte kohën e qëndrimit në Shqipëri. Në ato vite, pikërisht në këtë ndërtesë, midis shumë personaliteteve të kohës, thuhet se ka qenë edhe shefi i Sigurimit Jugosllav, Rankoviç. Ky takim është realizuar kur Çiano kishte marrëdhënie të mira diplomatike me qeverinë jugosllave, ishte koha kur po thureshin plane ogurzeza për ndarjen e Shqipërisë pas luftës.
Pas çlirimit të vendit, Vila e Konti Çiano u emërtua Hoteli i Gjuetisë. Shpejt vilës iu shua emri e, së bashku me të edhe lagunës, apo si thonë vendasit, kënetës iu hoqën padrejtësisht emrat që malësorët vendas e kishin emërtuar. Laguna edhe pas çlirimit vazhdoi të ruhej e të ishte nën kontroll të plotë, me hyrje-dalje të kontrolluara. U vendos reparti ushtarak “Vain”, më vonë u ndërtua dhe një shtëpi pritjeje për Ministrinë e Brendshme apo Vila Qeveritare dhe, së fundi, është rindërtuar Vila e SHIK-ut; tashmë ka dhe lokale shërbimi, fjetina, restorante, etj.
Edhe laguna e Ishull-Lezhës, si shumë laguna të tjera në vend, u bonifikua, u bënë shpyllëzime e sistemime të tjera, për të shtuar sipërfaqet me tokë bujqësore, duke pakësuar ndjeshëm sipërfaqen ligatinore. Sot është një sop dheu (argjinaturë) në lartësi e gjerësi të konsiderueshme, që e ndan lagunën nga tokat bujqësore të fshatit Ishull-Lezhë dhe Hotelit të Gjuetisë.
Në vitin 1966, në kuadër të riorganizimit të rezervateve të gjuetisë, Kune u shpall rezervat gjuetie kategoria A, ndërsa Vaini në vitin 1969 u rishpall rezervat gjuetie kategoria B. Punimet kryesore të kryera thuajse tërësisht nga shërbimi pyjor në periudhën 1950-1990 në lagunë, janë: Rehabilitim pyjesh 50 ha, shtrim rrugësh 15 km, ndërtim urash për automjete dhe një për këmbësorë me gjatësi të përgjithshme 300 m, ndërtim (shpim) i 20 puseve arteziane (me 25.000 l/orë gjithsej) për të ulur kripshmërinë, hapja e kanaleve të komunikimit midis lagunave, lumit Drin dhe detit, ndërtimi i qendrës se shumëzimit të fazanëve me kapacitet 30 mijë krerë në vit.
Në vitin 1983 u ndërtua qendra për shumëzimin e rosave të egra me kapacitet katër mijë krerë në vit. U rrethua zona e mbrojtur me tel me gjemba, 6 km gjatësi dhe 2.5 m lartësi. U hapën e u mirëmbajtën korridoret e gjuetisë me gjatësi 12.5 km e gjerësi 10 m. U mbollën çdo vit bimë polifite në rreth 15 ha. Në 3-4 vjet u ndërtuan rreth 40 vende gjuetie, 6 bankina për peshkim, kulla e drunjtë e vrojtimit, 10 dallgëthyese për ankorimin e varkave dhe mirëmbajtja e tyre, si dhe 4-5 varka shërbimi. Sigurohej ushqim për fazanët, lepujt e rosat. U vendosën shenja orientimi dhe tabela brenda dhe në hyrje të zonës së mbrojtur.
Në vitet 1990-1997, këto investime thuajse u shkatërruan plotësisht. Gjendja e lagunës u përkeqësua, duke humbur dhe shume përbërës të biodiversitetit. Më pas erdhi një çast, ndoshta i vonuar, kur dëmtimet u paksuan, territori i lagunës filloi të vihej nën kontroll. Rishpallja në vitin 2010 Zonë e Mbrojtur e kategorisë IV, me sipërfaqe rreth 4 400 ha, hartimi i planit më të fundit të menaxhimit për periudhën 2010-2019, që është në zbatim, përbejnë një bazë të mirë për të filluar një menaxhim real të kësaj zone shumë funksionale, me interesa jetike. Meqë kjo lagunë është zona e parë e mbrojtur në vend, ku fillon dhe historia e ZM te Shqipërisë, me shumë mundësi, le të jetë, pse jo, modeli më i mirë i menaxhimit të zonave të mbrojtura në vend.
Peshk i shijshëm, peshkatarë të zotë. Për banorët e qytetit, të Malit të Rrencit e Malit të Shëngjinit gjuetia e peshkut në det ka qenë dhe mbetet burimi i rëndësishëm i jetesës së tyre. Tradicionalisht ata njihen si peshkatarë të zotë, që me barkat e tyre kanë peshkuar Detin Adriatik dhe Jon, kanë furnizuar me peshk jo vetëm Shëngjinin e zonat përreth, por edhe një pjesë të kryeqytetit tonë.

Sot në Shëngjin janë mbi 40 anije peshkimi private. Lagunat janë, gjithashtu, burim për gjueti peshku dhe shpendësh. Zona e Shëngjinit është e pasur me laguna, në të cilat rritet peshk i shumëllojshëm, rosa dhe shpend të tjerë. Laguna e Merxhanit është më e madhja me prodhim të bollshëm peshku dhe shpendësh. Ajo tradicionalisht iu ka shërbyer banorëve të Ishull- Shëngjinit e veçanërisht atyre të lagjes Stom si burim jetese për të ardhurat që nxjerrin nga peshkimi e gjuetia e shpendëve.
Laguna ka zona të thella si Vija Kular, e pasur me ushqim për peshkun. Ajo që është më e rëndësishme, Laguna e Mexhanit lidhet me detin me Grykën e Merxhanit. Komunikimi me detin bën që peshku të jetë më i shumëllojshëm dhe i një cilësie më të mirë. Përbri Lagunës së Merxhanit ndodhet zona e Kunes që është nga më të pasurat për gjuetinë e rosave në Ballkan. Aty janë rritur mbi 42 lloje shpendësh. Mundësitë janë që Kuneja të ruhet e pasurohet me shpendë e të mbetet një burim për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Vlera të madhe për gjueti peshku dhe shpendësh ka edhe zona e Vainit, laguna dhe pyjet përreth saj. Të gjitha këto bëjnë të mundur që territori i Komunës së Shëngjinit të ketë numrin më të madh të gjuetarëve e peshkatarëve, krahasuar me zonat e tjera të rrethit të Lezhës.
Përgatiti: Zylyftar Hoxha

