Një psikoanalizë e shkurtër e mëkatit fillestar
“Uniteti i botes u shkaterrua nga nje krim antik dhe gjithcka tjeter rrodhi prej andej do te mbante mbi shpatulla ndeshkimin e merituar” Anaksimander Autor grek i lashtesise

Duke mos qenë ekspert teatri, natyrisht nuk mund të flas me kompetencë nëse “Equus” është një nga tragjeditë me të arrira në historinë moderne të Teatrit Botëror, por mund të them me bindje se përcjell një kumt të fuqishëm e të kahershëm, të cilin njerëzimi e bart me vete prej mijëvjeçarësh. Ky kumt, kjo ngjarje e tejlashtë është aq thellë e ngulitur në ndërgjegjen e shoqërive njerëzore sa që stërluhet si skenë filmi e rivënë miliona herë gjatë shekujve në procesione orgjish pagane në shpella e maja të shenjta të besimit falik, në teatrot antike e moderne, në meshat e së dielës dhe në mendjet psikotike.
“Equus” e shkruar nga Peter Shaffer në vitin 1973, e cila shfaqet për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar, me regji të të mirënjohurit Dino Mustafic, bazohet në një ngjarje reale. Është historia e një krimi të kryer nga një djalosh 17 vjeçar, i cili verboi gjashtë kuaj në një qytet të vogël anglez. Për të kuptuar se ç’kishte ndodhur, autoritetet e dërguan Alanin (Igli Zarka) për vizitë te psikiatri Martin Dysart (Timo Flloko). Dysart i tregon një ëndërr që kishte parë sikur ishte një zyrtar publik në Greqinë e Lashtë që kryesonte një ritual flijimi në masë. Ai shqyen trupat e qindra fëmijëve dhe nxjerr prej andej të brendshmet e tyre.
Dr. Dysart gjatë intervistës me prindërit e Alanit mëson se nëna e tij ishte një e krishtere e devotshme, e cila i lexonte të birit historitë e Biblës. Ndërsa i ati, një jo besimtar, i tregon mjekut se Alan shkatërroi një pikturë të dhunshme të Kryqëzimit dhe e zëvendësoi atë me foton e një kali me sy të mëdhenj e të ndezur. Gjatë seancës së hipnozës së djaloshit, mjeku zbulon tek ai elementë të ëndrrës së tij të tmerrshme të ritualit të vrasjes së fëmijëve. Ndërsa verbimi i kuajve ndodhi pas aktit seksual në stallën ku punonin Alan dhe Xhill. “Zoti është xheloz. Ai të shikon!” –“Zotat janë të pavdekshëm, doktor”! – “Zotat vdesin, Alan”! Natyrisht trupi lakuriq i aktorit kryesor hipur mbi kalë është një skenë tronditëse dhe një ngjarje nga ato që nuk kalohet lehtë ne tymnajën e duhanit dhe thashethemeve kafeneve të Tiranës. Kjo skenë tronditëse jo vetëm për nuditetin dhe lojën e shkëlqyer te aktorëve, por më tepër për mesazhin që kërkon të përçojë, më kujton një pikturë të Rilindjes ku Dionys Aigobolos (nga thrakishtja “Zoti i nuseve, grave” dhe greqishtja “Aigovolos, vrases i cjepve”) hipën lakuriq mbi një cjap. Gjithashtu më kujton personazhe mitikë dhe gjysmë hyjnorë si Centaurët, të cilët nuk ishin gjë tjetër veçse hordhi indo-evropiane të ardhura nga Azia mbi kuaj dhe përdorues shumë të aftë të harkut. Paragrekët, të cilët nuk kishin parë kurrë kuaj, kujtonin se këto ishin qenie hyjnore gjysmë kuaj dhe gjysmë njeri.
E njëjta gjë ndodhi edhe me indianët e Amerikës kur evropianët e parë sollën kalin në Botën e Re. Nuk e teproj nëse shprehem se ikona e Kryqëzimit nuk është gjë tjetër veçse bashkimi i djaloshit mbi kryqin, i cili është simboli i Diellit, një nga zotat e panteonit romak dhe jo vetëm. Simbolika mitologjike (forma) është e panumërt në të gjitha kulturat, por përmbajtja është pothuajse identike. Forma dhe përmbajtja do të na zbulojnë shkakun e verbimit të kuajve. Kompleksi i Edipit?!…Hm..!! “Equus” ose kali ishte një kafshë totem në shoqëritë primitive që personifikonte të parin e fisit, një stërgjysh të dashur dhe te mëshirshëm duke i dhënë atij atributet e një hyjnie. Me këtë totem identifikoheshin të gjithë anëtarët që i përkisnin një fisi te caktuar. (Jupiter Menzanas ‘”kali” ishte hyjnia kryesore e mesapëve ilirë). Ky totem vdes, por nuk vdes nga një vdekje natyrale, por nga një vrasje e dhunshme e më pas ringjallet.
Natyrisht ringjallet kujtimi i tij dhe…skena e krimit. Për vrasjen e zotave dhe mbretërve –hyjni, bota antike ka shumë shembuj. Një fis në Filipine u tregoi pushtuesve spanjollë që shpella e Krijuesit ndodhej në majën e Malit Cabunian. Heitsi-cibib, një zot apo hero hyjnor i Hottentotëve vdes shumë herë dhe vjen në jetë përsëri. Trupi i Dionisit ishte varrosur në Delfi pranë statujës së artë të Apolonit dhe varri i tij kishte këtë mbishkrim: “Këtu prehet i vdekur Dionisi, biri i Semelës’. Në çdo fillim pranvere që i përket datës 22 mars, në Myzeqe festohet festa e Dioniseve të Mëdha dhe njerëzit e kremtojnë me urime, lutje, argëtime, valle si dhe me lojëra të ndryshme. Dionisi (Διονυσος ) ishte një nga perënditë më popullore, që lind në pranverë e vdes në dimër e përsëri ngjallet. Dioniset e Mëdha fillonin në mars, ndërsa Dionisi i Vjetër fillonte në dimër.
Ky përfytyrim i vdekjes e ngjalljes së natyrës përbënte edhe temën e këngëve që shoqëronin festën dhe ditirambet që me pathosin e thellë dhe luftën mes “së mirës ndaj së keqes”, shënuan edhe nismën e dramës antike. Sipas një dëshmie, vetë Apolloni është varrosur në Delfi; thuhet se Pitagora gdhendi një mbishkrim mbi varrin e tij sesi zoti (Apolloni) u vra nga një gjarpër piton dhe u varros nën një tripod. Zotat e mëdhenj të Egjiptit nuk bëjnë përjashtim. Ata rriten e vdesin. Çdo provincë ka varrin dhe mumjen e zotit të saj të vdekur. Spartën e Lashtë e sundonin dy mbretër, të cilët pas 8 vjetësh qeverisje, vriteshin. Kasange, një vend në brendësi të Angolës, sundohet nga një mbret, që mban titullin Jaga. Kur një mbret do të vinte në fron, disa vartës kërkojnë një kurban njerëzor, i cili mundësisht të jetë i huaj. Kur ai vjen para monarkut të ri, atij i dhurohet çdo gjë që kërkon dhe të gjitha urdhrat e tij zbatohen si të ishin të vetë sovranit. Ditën e ceremonisë mbreti ulet në fronin e hekurt, krerët, këshilltarët dhe populli formojnë një qark të madh rreth tij. Pas mbretit janë gruaja e tij, së bashku me konkubinat. Një gong metalik me dy zile të vogla goditet nga një zyrtar, dhe në moment para mbretit me kurriz paraqitet viktima. I pajisur me një kamë, mbreti copëton kurrizin e viktimës, i nxjerr zemrën dhe e fut në hell për ta pjekur. Këshilltarët në të njëjtën kohë mbajnë trupin e viktimës në mënyrë që gjaku nga plaga spërkat gjoksin dhe barkun e mbretit dhe pasi derdhet në fronin e hekurt, mblidhet nga krerët me duart e tyre, të cilët lyejnë edhe ata fytyrat dhe mjekrat duke bërtitur: ‘”I madh është mbreti dhe ritet e Shtetit”! Më pas trupi rripet, prihet dhe gatuhet me mishin e një kau, qeni ose ndonjë kafshe tjetër. Ushqimi i gatuar i shërbehet më parë mbretit, më pas krerëve dhe këshilltarëve e në fund popullit të thjeshtë. Çdo njeri që refuzon të marrë pjesë në këtë drekë duhet të shitet si skllav bashke me familjen e tij.
Nderimi me të cilin viktima trajtohet para ekzekutimit, të çon në mendimin se ai është një zëvendës i mbretit. Pema gjenealogjike e Mitologjisë greke dhe jo vetëm është një mish-mash incestesh. Zeusi është biri i Cronosit dhe me një drapër trodhi të atin dhe u martua me të ëmën. Të njëjtën gjë bënë të gjithë zotat e rinj të Matriarkatit dhe prej andej e ka zanafillën edhe akti i rrethprerjes si një besëlidhje midis totemit dhe pjesëtareve të tjerë të fisit. Nëse do të ekzistonte një kod penal 12000 vjeçar, ai do te përbëhej nga dy nene ose tabu: Mos e vrit totemin (babain) dhe mos kryej marrëdhënie seksuale me anëtaret e fisit. Zanafilla në kohë e mëkatit është tepër e largët. Ai u krye në një shpellë të ngrohtë, të lagësht, qindra mijëra vjet më parë ku jetonin pak njerëz dhe kryenin marrëdhënie incestuoze për shkak të dendësisë shumë të vogël të popullsisë primitive në hapësira të pamata. Ati primitiv ishte i mëshirshëm, por edhe i ashpër me anëtarët meshkuj, të cilët kërkonin te çiftëzoheshin me femrat e tribusë. Ai përpiqet t’i dëbojë, por vëllazëria e vret. Pasi e vrasin pendohen, e qajnë dhe e hyjnizojnë. Ata duan të identifikohen me Atin e tyre tashmë të vdekur, por edhe të mitizuar. Që të bëhen si ai, e presin dhe e hanë në një tryezë primitive guri, kurse gjakun ia pinë. Me këtë veprim anëtarët e fisit u bënë njësh me viktimën –hyjni, falin mëkatet dhe e kujtojnë çdo vit kur çelin pemët. Me kalimin e kohës shpella e shenjtë mori trajtën e kishës, (në çdo shpellë të shenjtë ka një tempull), tryeza primitive prej guri është altari, ndërsa trupi i babait është buka që hamë dhe gjaku i tij është vera që pimë gjatë liturgjisë hyjnore. Në meshë ne imitojmë ritin e kanibalizmit të kryer mijëra vjet më parë në atë shpellën e ngrohtë. Gjithashtu tragjedia greke nuk është gjë tjetër veçse drama e luajtur para publikut duke i kujtuar atij se është mëkatar.
Vete fjala “tragjedi” vjen nga greqishtja “Tragos’” – cjap dhe nuk është gjë tjetër veçse historia e vrasjes së Cjapit Hyjnor nga i biri, Dionisi. Teatri është tempulli i shenjtë i Dionisit, i cili është heroi kryesor dhe merr mëkatet e vëllazërisë duke qenë i rrethuar nga kori (vëllazëria). Alan ka marre përsipër mëkatet e vëllazërisë antike, e adhuron Kalin, i cili është totemi i tij, por kryen marrëdhënie me Xhillin, e cila është gjithashtu e dashuruar pas kalit në stallën ku punon. Në mendjen e Alan, stalla është shtëpia e totemit, e Zotit, është vendi i shenjtë ku ai po mëkaton. Kali totem është babai antik, ndërsa Xhill është e ëma. Alan është duke kryer një incest me nënën e tij, por babai e shikon. Atëherë Alan merr gozhdën prej çeliku dhe i verbon kuajt që të mos shohin… Alani nuk është veçse biri vrasës i të Atit të shpellës së lashtë, duke kryer një veprim të trashëguar gjenetikisht nga e shkuara jonë primitive. Alan kryen një krim.
Equus është tragjedia e njeriut të lirë në një botë me tabu. Megjithëse tabutë ose ligjet natyrore u vendosën nga njerëzit për përjetësimin e llojit dhe ruajtjen e ekuilibrit ekologjik në mijëvjeçarë, liria është lufta ndaj pushtetit dhe për pushtet…
#Revolucioni

