Histori me shqiptarë!

Në hije të larta malesh, shkëmbinj të thepisur, aty-këtu disa fusha e kodra, lumenj me ujë kulluar shtrihej përtej historisë një vend i quajtur Shqipëri. Natyra i ka falur 100 të mira, por si çdo gjë mbi tokë, nuk mund të mblidhen të gjitha të mirat në një vend. Krijuesi, kozmosi, rastësia e hodhi një lugë helm mbi këto troje kaq të bukura, hodhi shqiptarin…

Edhe unë që shkruaj shqiptar jam dhe nganjëherë më vjen keq, nganjëherë ndihem krenar për vendin tim e nganjëherë neveritem sesi një vend i mrekullueshëm të vuajë nga vet ne, banorët e një vendi që nuk mund të qeverisemi mbi një tokë të bekuar.
Sa njohim historinë e ardhur ndër vite nga historianë të ndryshëm, deri diku e deformuar sepse jo çdo fakt është regjistruar në dokumenta, ne si komb nuk kemi njohur zhvillim zgjerues të trojeve, gjithmonë kemi mbetur ose të pushtuar ose vartës të një force të huaj. Kjo ka ndodhur sepse në gojëdhënat e mbijetuara të kohës, gjithmonë shqiptarët janë shitur tek të huajt, nuk kanë punuar për vete dhe gjithmonë përçahen në familjen e tyre të madhe të quajtur Shqipëri. Dhe ata që kanë punuar me mish e me shpirt për këtë vend, kanë qënë më të vuajturit duke mos ju njohur kontributi nga këta njerëz që fituan pushtete.

Varfëria mund të jetë një faktor që ndikon në përçarje sepse një copë bukë më shumë të rrit egoizmin, të rrit fuqinë dhe të jep pushtet mbi bashkëvuajtësit e tu. Një tjetër faktor është dhe karakteri jonë gjaknxehtë, i cili na bën të veprojmë më shpejt se mendimi dhe vuajmë pasojat e një veprimi pa mend.

Në vitet e largëta të Skënderbeut tonë heroik, u pa një rreze drite që Shqipëria të krijonte shtet, mbretëri të qëndrueshme duke bashkuar prijësit e vendit, por sikurse na njeh historia… edhe këtu na le shqiptari në balët. Shumë prijës u përçanë, familjarët e tradhëtuan dhe Skënderbeu vdiq i helmuar nga marazi dhe tradhëtia e familjes. Në anën tjetër po nga këto fakte njohim që Skënderbeu u ndihmua nga disa fuqi të kohës për të përballuar osmanët të cilët nëse kalonin pengesën e Skënderbeut do të hidheshin në botën perëndimore. Fija e interesit gjeopolitik bëri që Venediku, Papa, Austro-Hungaria të ndihmonin duke bërë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj politikave të tyre pushtuese kundër vendit tonë. Nuk mund të themi që Skënderbeu ishte vegël e të huajve, por kishte mbështetjen e tyre dhe me këtë ndihmë ai qëndroi fortë në përballje me turqit.

Duke ecur në tymnajën e historisë, vijmë pak më afër në Pavarësinë tonë të 1912, një vepër e shqipëtarëve të diasporës që kontribuan nga jashtë. Edhe ato burra shteti që krijuan shtetin e pavarur ishin shqiptarë që u arsimuan dhe kontribuan për pushtuesit, ndoshta erdhën me mision ose me një arsye personale që ngjalli tek ata ndjenjat e zjarrta për atdheun. Ismaili jonë i nderuar ndër vite si prijës i pavarësisë ka shërbyer në Perandorinë Turke dhe u kthye me mbështetje të jashtme nga fuqitë e kohës për t’i dhënë pavarësinë vendit tonë. Edhe në këtë rast, shqiptarët nuk ia dalin vetë, ndihmohen nga të huajt për të ngjitur një shkallë në histori. Evropa që na do aq shumë dha kontributin e saj për të çliruar vendin nga pushtuesi.

Vetëm një vit më vonë, më 1913 vendi jonë i pavarur u kthye në plaçkë lufte që do shqyhej nga po këto vende që kishin dhënë një dorë për shpalljen e pavarësisë. Evropa përsëri tregon që e ka pikë të dobët shqiptarin. Si ngushtojnë sa munden, i vendosin vijëzimet territorit tonë dhe përsëri ne nuk ndihemi, jemi një popull i paqtë që nuk kemi pushtuar askënd, përveçse dhunojmë njëri-tjetrin.

Ecim pak më shpejt në Luftën e Dytë Botërore, ku vendi u përmbyt nga pushtimet dhe shumë prej nesh nuk ngurruan të bashkëpunonin kundër shqiptarit. Një napolon vlente më tepër se një kushëri apo komshi. Përsëri të shitur…
Si kaloi lufta, me fitore partizane se ç’na kapi serbi anën dhe na futi komunizmin shpejt e shpejt në aksion. Na vendosi në pushtet një drejtues dhe ndoshta veproi fshehtas sepse më nuk u ndje. Shqipëria u ndërtua, u zhvillua, u rrit, me të mirat dhe të këqijat e sistemit dhe për 50 vite gjeti paqe shpirtërore. Aty nga viti 1990 po frynte era demokraci dhe duhej ndërruar sistemi, por a kishte shqiptar që e kuptoi ndonjëherë demokracinë…?
Duke shfrytëzuar këtë mangësi disa forca të huaja miqësore ndaj shqipërisë na caktuan drejtuesit tonë plot entuziazëm. Si të mos mjaftonin mijëra shekuj të nëpërkëmbur edhe demokracia na erdhi me të njëjtin ritëm, për mos thënë që na shtypi… na nxorri të zitë e ullirit. Hyp një lider e zbrit një tjetër, prish një fabrikë e ndërto një biznes importi, prish një minierë e jep një koncesion, pri një pyll e shkatërro lumenj, prish një uzinë e jep një pus nafte me qira, prish një fshat e ndërto një pallat me 12 kate, prish rërë deti e ndërto resorte, prish institucione e ndërto parlamente, prish para e ndërto njeriun e ri shqiptar.

Një njeri që nuk njeh më veten, ka humbur orientimin dhe nuk mund të quhet më kafshë politike. I ka humbur nuhatja dhe s’ka më instikte mbrojtje. E ke një dele që ndjek tagjinë dhe mos prit të blegërijë se nuk ka ç’të hajë, thjesht do lëpijë gurë e do vrasë veten, por asnjëherë nuk do tradhëtojë liderin. Edhe sot pas mijëra vitesh, nuk kemi ndryshuar. Jemi po të njëjtët bagëti që na përbuzin, na tërheqin për hunde dhe na tundin e shkundin fuqitë e huaja dhe lolot që vendosin në postet drejtuese.

Ju kujtoni se votoni dhe zgjidhni drejtuesin tuaj politik? Nuk ka ndodhur dhe s’ka për të ndodhur që një proces zgjedhor të prodhojë drejtues të popullit. Veglat që veprojnë nën rrogoz, do të nxjerrin fitues gjithmonë lolon shqiptar që bën më mirë rolin e besnikut. Sot ne kemi një shtet që nuk qeveris dot një popullsi 1.000.000 banorë. Kaq kemi mbetur realisht sepse statistikat regjistrojnë dhe personat që figurojnë në gjendje civile, por fizikisht nuk ndodhen në këtë vend të mallkuar për farën njerëzore që mbajti mbi vete. Jemi të varfër mendërisht, na blejnë lehtë politikisht dhe votën nuk na i numëron njeri. Ju mund të thoni që nuk kemi alternativë zgjedhje sepse të gjithë janë njëlloj, por keni në dorë që të mos zgjidhni asnjë, të reformoni veten dhe të përjashtoni nga drejtimi çdo person që tallet me gjakun tuaj shqiptar.

Një shtet para një populli gjunëzohet sepse fuqia gjendet tek ju. Nuk është nevoja të rrëmbeni pushkë e barot, për të bërë revolucion, mjafton të bëni revolucion në mendjen tuaj, që shqiptari di të qeveriset dhe ky vend mund të bëhet.

#KrenarVoskopojari

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *