Si të aplikoni për studimet Master në Gjermani

Studimet në Gjermani kanë procese të ndryshme për dy nivelet, atë universitar dhe atë pasuniversitar. Në një nga shkrimet tona të mëparshme kemi shpjeguar shkurtimish hapat që ndiqen për aplikim në studimet “Bachelor/Universitare”, ndërsa sot po shpjegojmë disa hapa që duhe t’i dini për aplikimin në studimet master.

Hapi I
Kërkimet tuaja për studimet Master duhet të nisin që një vit përpara se të mbaroni studimet universitare. Kjo do t’ju japë kohë për të gjetur informacion, por dhe për të aplikuar sepse shumë aplikime kryhen nga disa muaj deri në vit përpara nisjes së vitit akademik të programit Master. Sipas programit që dëshironi të ndiqni, duhet të kufizoheni në ato degë që përmbushni kriteret për pranim. Pasi merr informacion të qartë lidhur me degët që kualifikohesh, duhet të vendosësh kontakt me universitetin për të marrë dhe informacione specifike, në rast se nuk jeni të qartë nga informacionet që janë paraqitur në faqen e internetit të programit.

Kujdes! Përpiquni të mos aplikoni për progame që nuk kualifikoheni sepse nuk pranoheni dhe harxhoni kohë pa rendiment!

Hapi II
Pasi keni vendosur kontakt me universitetin dhe jeni qartësuar për aplikimin, merrni kohë të kontrolloni listën e dokumentave që ju duhen për aplikim dhe çdo specifikë. Disa programe, përveç dokumentit standard:
1. Diploma/Lista e notave
2. Jetëshkrim (CV)
3. Letër Motivimi
4. 2 Referenca (Pedagogë/Punëdhënës)
5. Certifikatë gjuhë (Anglisht/Gjermanisht në varësi të gjuhës së programit)
6. Pasaporta
7. Dokumenta të tjera sipas specifikave të programit (ndonjë punim, certifikatë, shkrime, etj)

Diploma dhe lista e notave duhet të jenë të përkthyera dhe noterizuara. Me raste universiteti kërkon dhe diplomën e shkollës së mesme. Për Letrën e Motivimit përpiquni të shkuani saktë dhe shkurt, 1 faqe deri 1 faqe e gjysëm A4 janë të mjaftueshme. Letra e Motivimit është një faktor kyç në pranim, duke qënë se përmban motivimin tuaj lidhur me atë program studimi dhe atë universitet që aplikoni. Mos u përpiqni të tregoni histori vuajtjesh apo vështirësi që keni hasur në rrugën tuaj. Nuk është mirë të kërkosh një vend në një program duke luajtur me kartën e fatkeqësisë apo varfërisë. Absolutisht që ato vlerësojnë nevojën tuaj për ndihmë financiare, në rastet kur aplikoni dhe për bursa, por nuk është kjo arsyeja kryesore që ato ju ofrojnë bursë. Përkundrazi bursa ju ofrohet studentëve që kanë rezultate të mira, kanë arritur t’ia dalin në vështirësi dhe të jenë të motivuar për të arritur më tepër, duke mos justifikuar këtë gjë me dobësinë e të qënit i varfër.
Referencat duhet t’i merrni nga dy pedagogë apo 1 pedagog dhe 1 punëdhënës nëse keni përvojë pune. Jetëshkrimi, në rast se nuk është përcaktuar forma që duhet dorëzuar, përdorni formatin e Europass. Bëni kujdes sepse disa universitete kanë formatet e tyre dhe duhet që të plotësoni atë format dhe t’a dorëzoni, jo një format tjetër.

Pjesa e dokumentave specifik nuk aplikohet për çdo program, gjithsesi ato programe që i kërkojnë duhet t’i plotësoni, në të kundërt ose hiqni dorë nga aplikimi për atë program ose kërkoni nga Drejtuesit e Programit nëse mund të ofrosh diçka alternative për të plotësuar atë kusht.

Hapi III

Pasi të keni përgatitur të gjitha dokumentat dhe përkthimet e tyre në varësi të gjuhës së programit (Nëse gjuha e programit është Anglisht, duhet që dokumentat t’i përgatisni në këtë gjuhë, nëse zhvillohet në Gjermanisht, duhet të bëni përkthimet në gjuhën gjermane) dhe jeni siguruar që jeni në afate për aplikim, mund të nisni procedurën e aplikimin në linjë (online) ose me postë. Disa universitete përdorin dhe sisteme të Centralizuara për aplikim, disa kanë sistemet e veta, disa të tjerë kërkojnë aplikim në linjë por dhe me postë. Për këtë duhet të kontrolloni mënyrën e aplikimit në faqen e programit. Bëni kujdes në plotësimin e formularit dhe mos harroni të ngarkoni dokumentat e skanuara.

Hapi IV

Në përmbyllje të proceseve të aplikimit, ruani të dhënat e emrit të përdoruesit dhe fjalëkalimet për çdo universitet sepse disa prej tyre ju njoftojnë vetëm në sistem dhe ka raste ndonjë nga e-mail njoftues nuk ju vjen në kutinë hyrëse. Për të eleminuar ndonjë vonesë, përpiquni të kontrolloni shpesh sistemin për përgjigjet.

Hapi V

Nëse keni marrë përgjigje pozitive dhe jeni pranuar, atëhere me marrjen e letrës së pranimit ju lind e drejta të nisni procedurat e vizës. Viza kërkon kohë 1-3 muaj për të dalë dhe duhet të siguroheni që plotësoni kushtet financiare dhe proceduriale të aplikimit. Tërhiqni nga ambasada listën me dokumenta, ose mund të kontrolloni dhe në faqen e internetit të ambasadës për informacione mbi dokumentat dhe nisni përgatitjet. Ndiqni me kujdes udhëzimet dhe të bëni depozitimet e parave të garancisë në kohë. Garancia për studimet në Gjermani varion në vlerat 7000-8000 euro, në bazë të përcaktimeve që ato bëjnë kohë pas kohe. Në të njëjtën kohë me vizën, sigurohuni të ndiqni procedurat me universitetin për strehimin, marrjen e informacioneve të tjera, sigurimin shëndetësor që duhet të kryeni, etj. Ndërkohë që jeni të sigurtë për plotësimin e dokumentacionit për vizë, caktoni menjëherë takim për vizën në sistemin elektronik të ambasadës. Sa më parë të kryeni këtë gjë aq më mirë sepse duke qënë që ka fluks aplikimesh, ditët e takimit bllokohen më shpejt dhe mund të shtyhet për më tepër kohë aplikimi për vizë.
Pasi të keni përgatitur dokumentacionin për vizë dhe keni caktuar datën e takimit, paraqituni në orarin e caktuar me Pasaportën tuaj dhe dokumentat pranë ambasadës. Kujdes! Plotësoni me kujdes numrin tuaj të pasaportës në formularin e takimit sepse një numër apo shkronjë gabim ju heq të drejtën e takimit dhe duhet të rezervoni një datë tjetër.

Urojmë që dhe procesi i vizës të kalojë me suksese dhe nëse miratohet, jeni gati për të nisur studimet Master.

Suksese!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *