Orikumi dhe Karaburuni, aty ku natyra i ka ngritur monument vetvetes

Orikumi dhe Karaburuni ndodhen midis Gjirit të Vlorës në Lindje dhe Detit Jon në Perëndim. Lartësia e Karaburunit shkon nga 15-30 m deri në 800 m mbi nivelin e detit. Pikat më të larta janë Maja e Flamurit (826 m) e ajo e Caderes (839 m). Kjo zonë ka statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar, kategoria e IV. Zona e Karaburunit karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe pejzazhor, i cili i dedikohet pozitës gjeografike, orografisë, hidrografisë, vertikalitetit, kushteve tokësore dhe klimatike të ndryshme.

Kjo zonë mban habitate të ndryshme, të cilat nga ana e tyre përdoren nga një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitarë) të një rëndësie kombëtare dhe rajonale për ruajtje. Zona e Karaburunit aktualisht gjendet afër një popullate të konsiderueshme ku qendra më e madhe urbane është qyteti i Orikumit. Mjedisi social ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ndërsa në verë merren me turizëm.

Banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë foragjere, blegtori. Brenda zonës Karaburun gjatë periudhës së dimrit, është zhvilluar aktiviteti i blegtorisë (dhi e dhënë). Duke qenë në një pozicion të ndërmjetëm në rrugën e vetme nacionale që lidh Vlorën me Orikumin, Himarën e me tej deri ne Sarandë, ajo ka favorin të ofrojë pika me interes historik si Vlora, Kanina, Amantia, Mavrova, Orikumi, Himara etj. Të dhënat historike, shumë gjetje arkeologjike dhe 19 monumente kulture, evidentojnë se rajoni ka qenë ndër me të zhvilluarit dhe të civilizuarit në Shqipërinë e Jugut. Kjo vërtetohet me gjetjet në shtatë qytete antike mjaft të pasura me vepra arti, arena, objekte kulti, varre monumentale, etj.

Orikumi antik dhe Orikumi modern. Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin.

Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri e nerv jetik me vërshimin e  turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Deri në vitin 1956 s’kish gjë prej gjëje përveç një poste policie. Për herë të parë u ndërtuan rreth 20 apartamente ku do strehoheshin rusët që do të vinin për bazën e Pashalimanit dhe shqiptarët, gjithsej 72 familje të tyre. Dalëngadalë punët ecën, kurse Pallati i Kulturës, një ngrehinë tipike e stilit sllav, u inaugurua më 15 gusht të 1960. Kështu u krijua Orikumi si qytet tipik socialist, me ndërtesa interesante dhe njerëz tipikë, oficerë, marinarë dhe familjet e tyre.

Me fundin e epokës së Luftës së Ftohtë, kur baza u prish dhe banorët mbetën në ato dy katëshit e vjetër, që u ndërtuan fillimisht për ushtarakët rusë dhe kolegët e tyre shqiptarë, fytyra e qytetit ndryshoi. Nevoja i mësoi banorët që t’i faleshin emigracionit, ndërsa pjesa e mbetur rregulloi shtëpitë dhe mendoi për turizmin shtëpiak. Falë punës së paqme të kryetarëve të bashkive, u shtrua rruga deri te baza, që nuk u bë kurrë gjatë viteve të Luftës së Ftohtë dhe sot ajo lidh vendin që nga fundi i Unazës së Re të qytetit dhe derisa përfundon në hyrje të Bazës Ushtarake të Pashalimanit në krahun jugor të Rrugës Nacionale Orikum- Pashaliman. Tani banorët e këtij qyteti i kënaqen plazhit të paanë, që shtrihet nga pranë Bazës dhe vijon deri buzë qytetit, ku një rreth pallatesh të tëra e kanë ndryshuar Orikumin krejtësisht duke e bërë një nga atraksionet më të mëdha  pas bregdetit të Vlorës. Dhjetëra shitore të vogla, rrethojnë qytetin, ku mbizotërojnë merkatat e vogla, pijetoret, sikurse shumë “kafe-internet”. Në këto mjedise, fëmijët e brezave të tashmë të Orikumit, ardhur nga emigracioni mbajnë gjallë fantazinë kibernetike dhe përcjellin trendin e moshës së tyre, që e ka bërë sërish të vjetër qytetin vogëlan.

Llogaraja. Të shkosh në plazhet e gjirit të Vlorës nga Uji i ftohtë e deri në Orikum dhe të mos lësh një pjesë nga koha jote për në Llogara, mos thuaj isha në Vlorë. Duhen prekur kufijtë e ëndrrës. Një vakt në Llogara, mëngjes apo drekë, është një kënaqësi mbresëlënëse. Ushqimet blegtorale bio këtu janë fantastike, ose, ndoshta  kështu të duket mes freskisë së pishave, që nga mishi i pjekur në hell,  nga djathi, gjiza, salca e lëkurës e deri te harapashi, gatim tradicional i zonës me të përbrendshmet e qengjit, miell  misri dhe gjalpë. Kënaqësia tjetër më e madhe, është rruga që mbi Dukat e deri në qafë sipër, ku duket Riviera, fshatrat e Himarës, Korfuzi dhe brigjet e Jonit.  E shijon këtë mrekulli me makinë, natyrisht duke ecur ngadalë, por edhe duke zbritur here pas here nga makina për të marrë një dorë çaj apo rigon mali, apo për të soditur pishat, që për shkak të erës, i ngjajnë një flamuri të shpalosur, dhe bash për këtë ato quhen pisha flamur. Në qoftë se je i ngeshëm dhe kurioz mund të hysh thellë në pyll dhe të relaksohesh me pamjet e mrekullueshme dhe bimësinë që gjen atje. Ndërsa po vajte te km 31 i rrugës Sarandë-Vlorë, ne dalje të Parkut, në të djathtë të rrugës kryesore, ndodhet Pisha Flamur, që është shpallur Monument Natyre dhe që është lehtësisht e dallueshme. Ajo ndodhet në lartësinë 910 m mbi nivelin e detit, ka një moshë mbi 100 vjeçare dhe  mbart vlera unikale, si vepër artistike e erërave të Jugut. Është e gjatë 17 m, ka perimetër 3.30 m, diametri maksimal 75m. Pisha flamur vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj dhe është botuar në guida të ndryshme turistike dhe botime shkencore. Natyrisht këtu nuk mund të rrish pa bërë një foto, me të cilën mund t’u mburresh miqve në rrjetet sociale, duke u thënë: “A e shihni ku kam qenë unë”?!…

Karaburuni, “molla e ndalueme”. Kjo perlë e natyrës dhe historisë shqiptarët po ngelet e mbyllur për shqiptarët dhe turistët e huaj. Vizitorë të shumtë kërkojnë ta vizitojnë këtë zonë nisur nga informacionet e marra në internet, por nga deti është e vështirë dhe me kosto të lartë, nga toka është vënë postblloku ushtarak i Pashalimanit. Spostimi i këtij postblloku ka qenë edhe një prej kërkesave kryesore të banorëve të Dukatit, të cilët kanë pronat e tyre në Karaburun. Në fakt, i gjithë Gadishulli i Karaburunit po qëndron jofunksional pa të drejtë, kur ekzistojnë të gjitha mundësitë që ai të ishte vënë në funksion të turizmit. Si duket interesa të caktuara mbajnë peng plazhet e virgjër dhe bukuritë natyrore të gadishullit interesant në të gjitha pikëpamjet.

Kisha e Marmiroit. Ka shumë objekte me vlera historike në këtë zonë. Pushuesit që vijnë në gjirin e Vlorës dhe Orikum, veç plazhit, në orë të veçanta të ditës mund të vizitojnë edhe objekte historike që ndodhen në të gjithë zonën si; në fund të gadishullit të Karaburunit, aty ku ai bashkohet me luginën e Dukatit gjendet një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar mbi një kodër fare pranë bregut të detit. Është një kishë bizantine me kupolë, ndërtimi i së cilës datohet diku ne shek. XII. Për të vizituar Kishën e Marmiroit ndiqet rruga që përshkon qytetin e Orikumit deri tek pompat e ujësjellësit dhe prej andej ndiqet rruga që të çon në rreze të kanalit.

Gramata. Gjiri i çuditshëm i Gramatës (ose siç thirret nga vendasit, Gjiri i Gramës) ndodhet rrëzë shpatit perëndimor të Gadishullit të Karaburunit. Një zonë të pabanuar ku mund të ecësh me vështirësi në rrugë këmbësore. Në antikitet, që nga shek. VI p.e.r. shkëmbinjtë masivë që gjenden në këtë gji kanë shërbyer si gurore për ndërtimin e qyteteve. Në muret e tij të gurta, gjenden shkrime të marinarëve që i shprehin falenderimin perëndisë Poseidon. Sot përbën një vlerë unikale për detin e Mesdheut. Në këtë zonë ndodhet gjithashtu edhe shpella e Gramës, muret e gurta të së cilës përmbajnë vizatime dhe shkrime, shumica e të cilave i referohen mikpritjes vendase.

Kalaja e Gjon Boçarit. Kalaja mesjetare e shekullit XV, e lokalizuar pranë fshatit Tragjas. Përbëhet nga dy kulla gjashtëkëndore në skajet veriperëndimore dhe juglindore. Ka një gjatësi prej rreth 50 metra, me mure 5 metër të lartë dhe 1.25 metër të gjerë. Në këtë kala Princesha e Kaninës dhe e Vlorës, Rugjina e Balshajve, pati rezidencën e fundit ndaj pushtueseve Osmanë në vitin 1417. Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në fshatin Tragjas.

Kullat e Dervish Aliut. Në afërsi të fshatit Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor me vlera historike. Banesa është e tipit Kullë, që i ngjan një kështjellëze të fortifikuar. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. “I flet Pashait mbi kalë…”, thotë kënga e popullit, duke treguar me dy fjalë se me kë kemi të bëjmë!..

Shpella e Haxhi Alisë. Ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të kepit të Gjuhëzës. Shpella e Haxhi Alisë është quajtur ndryshe shpella ilirike. Thuhet se një luftëtar dhe detar i shquar Ulqinas i quajtur Haxhi Ali u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë. Prej aty ata sulmonin piratet e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtaret dhe udhëtarët që kalonin nga ato anë. Edhe sot anijet që kalojnë pranë shpellës i bien sirenës në nderim të tij.

Rrapet e Izvorit. Në fund të Tragjasit janë shtatë rrepe të mbjellë, ndoshta, para 250 vjetësh. Përmasat e rrapit më të madh janë; lartësia 60 m, diametri maksimal 2 m, perimetri i trungut 10 m dhe kurora e rrapit ka një diametër pre 40 m. Në rrepet e Izvorit organizoheshin takimet dhe kuvendet e popullit. Rrapet e Izvorit janë lehtësisht të dallueshëm nga rruga kryesore.

Shpella e Dukë Gjonit. Kjo shpellë ndodhet në faqen jugore të Gadishullit të Karaburunit në vendin e quajtur Petrunë, 400 m mbi nivelin e detit. Atë e ndajnë në disa salla e kate stalaktidet e stalagmitet. Në sallën e parë ndodhet një burim i vogël që ka ujë gjatë gjithë vitit. Kjo shpellë ka bukuri të rralla, vlera shkencore, kulturore e turistike.

#ZylyftarHoxha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *