Vangjel Kapidani, një jetë në kërkim të thesareve

Ndoshta mund të quhet “I marri” i Shqipërisë. Dëshira për rendur pas gjurmëve të historisë, të gërmojë shpellave paleokristiane e të zbulojë objekte neolitike, e bën më të ri edhe tashmë pas dyzet vjetësh.
Është zbuluesi i parë i një medalioni me kokën e Pirros së Epirit. Një medalion në formën e një rrethi , e punuar në argjend. Ky medalion daton rreth XXIII shekuj më parë dhe është zbuluar në krahinë e Korçës vetëm pak kohë më parë.
Një terrakotë 7000-vjeçare, një unazë e hershme me kokën e Dionizit apo shumë ikona dhe epitafe, 500 monedha të hershme, të periudhave të ndryshme janë vetëm një pjesë e koleksionistit nga Elbasani, Vangjel Kapidani. Ai ende vazhdon të gërmojë në gjurmët e historisë dhe, sipas tij për të gjetur rrënjët. Nuk i mungon dëshira që të ketë sa më shumë objekte të rralla në studion e vet, diku pranë Bashkisë së Elbasanit. Ja si e tregon jetën mes historisë koleksionisti elbasanas.

Përse keni vendosur të merreni me një punë të tillë, koleksionimin e objekteve të hershme dhe të rralla. Fama apo dëshira për të mësuar mbi gjëra pazbuluara më parë?
Të koleksionosh objekte të tilla të rralla, faktikisht është një fat i madh. Këtë fat e kam pasur dhe unë. Objekte të tilla tregojnë se shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Evropës, historia e të cilëve ka rrënjë shumë të thella, të pazbuluara ende. Vetëm sa e kemi gërvishtur si histori, e të gërmosh në të është tepër e vështirë. Sot kam idenë se Shqipërisë i duhet më shumë një paleograf se sa një qind arkeologë. Të koleksionoj të tilla objekte të hershme për mua është hobi. Këtë punë nuk e bëj për pëfitim, edhe pse kam shpenzuar shuma të mëdha.

Cilat janë objektet më të rëndësishme që keni zbuluar?
Unë nuk pretendoj për ndonjë diçka të madhe, koha është ajo që do të më vlerësojë, nëse jam apo jo një zbulues, por them se një nga objektet më të veçanta është terrakota e Edvanit, me një vjetërsi të përcaktuar në laboratorët amerikanë prej 7 – 11 mijë vjet, e cila mendoj se është një ngjarje e pazakontë për vendin tonë. Mbi të gjitha më lumturon se është gjetur në Shqipëri dhe është zbuluar më 11 janar të vitit 2002, në zonën e Malit të Thatë. Është gjithashtu një bust egjiptian me figurën e faraonit. Kam edhe një Circe prej qelqi, e cila është tremijëvjeçare, një medalion i shekullit VI para Krishtit, një medalje e Lojërave Olimpike, me kokën e fituesit Onoksio, i cili në edicionin 29 – 30 – 31 ka fituar nga dy medalje ari në lojën me kuaj. Ajo që unë vlerësoj më tepër është një monedhë romake, e cila kushton 56 milionë lireta, megjithëse monedha të tilla të hershme kam rreth 500.

Sa kohë keni që merreni me zbulime dhe koleksionime të objekteve të tilla?
Unë kam dyzet vjet që punoj për këtë gjë dhe mund të them se është një fushë e pafund që ma rrit pasionin. Kjo punë nuk ka fund, por unë jam ende në kërkim të botës së humbur.
Kjo do të thotë se jeni i pasur…
I pasur midis të varfërve dhe i varfër midis të pasurve, sepse kështu është kjo punë, të bën të pasur në thesare por t’i shkund xhepat.
Janë objekte të rralla dhe me vlerë. A keni menduar ndonjëherë për t’i dorëzuar diku, në muze ndoshta?
Faktikisht jam përpjekur t’ia ofroj shtetit, Muzeut Kombëtar veçanërisht, disa objekte me karakteristika të veçanta. Por shteti është i pafuqishëm për blerjen e këtyre objekteve.
Keni shitur ndonjë?
Nuk kam shitur. Madje më vjen keq për një libër që para dy vjetëve ia ofrova Arkivit të Shtetit Shqiptar. Bëhet fjalë për një nga librat më të vjetër në botë para Kuranit. Ai u zbulua më ‘91-shin në Bagdad të Irakut, gjatë kohës kur bëheshin bombardime. Disa miq të mi turq e gjetën dhe e sollën në Shqipëri. Ky libër iu ofrua shtetit shqiptar për 80 milionë dollarë, por shteti ynë nuk mundi ta blinte.

Terrakota e Edvanit 7mije vjeçare
Terrakota e Edvanit 7mije vjeçare
•Një bust egjiptian me figurën e faraonit 3000-vjeçar
•Një Circe prej qelqi 3000-vjeçare
•Një medalion i shekullit VI para Krishtit
•Një medalje e Lojërave Olimpike, me kokën e fituesit Onoksio
•Një monedhë romake, e cila kushton 56 milionë lireta
•Një monedhë e gjetur në Apolloni
•Një unazë me kokën e Dionizit, i ka rezistuar kohës për XXIII shekuj
•Një medaljon me kokën e Pirros së Epirit
•Një ikonë, e cila i përket shekullit XVI para Krishtit

Një terrakotë e çuditshme apo mendim i çuditshëm?

Nga koleksioni i tij veçonte pikërisht atë. Një terrakotë e vjetër, të cilën e ruante të mbështjellë me një gazetë, diku në një sirtar të studios së tij. Ngado të hidhje sytë, në atë studio të vjetër të zinte syri objekte të rralla. Por terrakota e Edvanit, për të është më e rëndësishmja, më e frikshmja dhe njëkohësisht më e kushtueshmja. Historia e gjetjes së saj është paksa e pazakontë. Është rreth 7 mijë vjeçare. Dy vjet më parë koleksionisti Vangjel Kapidani do ta zbulonte në një shpellë pranë Malit të Thatë. “Një fshatar në atë zonë më tregoi për këtë shpellë, ku kishte disa drita të pazakonta prej shekujsh, prandaj fshatarët kishin frikë të shkonin atje. Këmbëngula, mora një sqepar me vete dhe aty pashë një vend të ngritur. Nisa të gërmoja dhe në 20 centimetra thellësi ndodhej e ruajtur kjo terrakotë. Ishte e copëtuar, i dhashë edhe shpërblimin fshatarit, 180 mijë lekë të vjetra, për të cilat ai u habit”, na e tregon kësisoj historinë e zbulimit të terrakotës Kapidani. Copëzat e thërrmuara të saj i kishte ngjitur me mastiç, duke formuar kështu një objekt të cuditshëm, të cilit i kushtonte një vëmendje të veçantë. Ndoshta ngaqë edhe ai vetë kishte përjetuar diçka të çuditshme. “Atë natë, pasi mbarova ngjitjen, nga ora një e gjysmë, në xham m’u shfaqen dy figura të tejdukshme që lëviznin çuditshëm për gati 30 sek. U frikësova, por ato më ndoqën edhe herë të tjera. Për mua janë qenie jashtëtokësore dhe ky është një realitet që unë e jetova”, shprehet koleksionisti, edhe pse në fytyrë nuk i lexohej asnjë shenjë frike, apo pasigurie.

Përgatiti: Anila Mema

Shënim redaksia: Z. Vangjel Kapidani, ka disa vite që është larguar nga jeta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *