Intervistë pune me tabelë shumëzimi

Kohët kanë ndryshuar, jetojmë modernizëm dhe epokën e teknologjisë. Informacioni është lumë, dija dy klikime larg nga ekrani i një telefoni apo kompjuteri. Shkolla tradicionale besoj nuk duhet, mjafton të mbash shok të mirë gugllin.
Në vendin tonë sektori i punësimit ka problemet e veta lidhur me moskualifikimin e duhur të punonjësve dhe aftësitë e tyre të veçanta për pozicione të caktuara, por prej pak kohësh (ndoshta 4-5 vitet e fundit) është shtuar dhe një hall i madh. Një miku im që ka një biznes të vogël interviston shpesh shitëse, të cilat dëshiron t’i punësojë, por duke qënë se nuk përmbushin kushtet për pozicionin e shitëses, detyrohet të ndërrojë herë pas here punonjëset.

Duke biseduar ngre shqetësimin për kandidatët sepse shumë prej tyre kanë pretendime në punë, dëshirojnë të marrin paga shumë të mira, shpejt dhe pa lodhje. Nga ana tjetër problemi më i madh është se shumë prej kandidateve që paraqiten në intervista pune, megjithëse kanë mbaruar studimet e larta, kanë probleme me komunikimin dhe llogaritë e thjeshta matematikore, dy kritere normale për një pozicion si shitës.

Ai ka vendosur që në rekrutimin e punonjësve të reja të paracaktojë si kushte njohjen e alfabetit dhe tabelës së shumëzimit. Mund të duket si fundi i botës, por rendi jonë shkollor piramidal prodhon këto breza injorantësh me diplomë.
Në raste konkrete, një vajzë që kishte mbaruar për mardhënje nderkombtare, nuk ktheu përgjigje për pyetjen : “Sa bëjnë 6×7?” . Përgjigjia që mori intervistuesi ishte që vajza nuk kishte bërë asnjëherë matematikë në shkollë.
Një vajzë tjetër u pyet nëse mund të bënte llogari me përqindjen, për një vlerë të caktuar çmimi. Përgjigjia ishte befasuese, ku për 1% e 12.000 lekë, përgjigjia ishte 1.200 lekë.

Nuk po japim më tepër shembuj sepse kuptohet qartë sesi është katandisur sistemi jonë arsimor. Nëse vini re në rrjete sociale, shumica dërrmuese e individëve që përdorin këto rrjete nuk shkruajnë drejt gjuhën shqipe dhe kanë probleme të mëdha të përdorimit të ç dhe ë (për këtë të fundit ju japim pak të drejtë sepse jo çdo përdorues di të kthejë shqip tastierën ose të përdorë shkurtoret me kod, por mund të përdorin “e” të paktën). Sistemi jonë arsimor ka dështuar dhe duhet të rindërtohet nga themelet. Po prodhon individë me disa diploma pa vlerë.

Që intervistat të mos bëhen me tabelë shumëzimi duhet t’ju mësojmë alfabetin politikanëve!

 

#Krenar Voskopojari

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *