Të fshehtat e Bassanias dhe heshtja e Qengjit
Lajmi trondites i këtij fillim Qershori për zbulimin e një qyteti të panjohur ilir, me shumë mundësi Bassania e përmendur nga Tit Livi nuk kaloi pa u vënë re nga historianët e arkeologët, nga dashamirësit e ilirëve dhe lashtësisë , nga patriotët që e mbysin vrerin e të qenurit larg atdheut me artikuj të stërshkruar dekada më parë dhe nga disa patetike «fejsbuku » që folklorizmi i tyre dhe kultura e kufizuar që zoterojnë, i bën qesharake në sytë e armikut, të cilin metojnë se e luftojnë me shkrimet e tyre.

Të tjerët, që fatkeqësisht përbejnë shumicën dërrmuese të popullit, janë njerëzit e thjeshtë që jetojnë e mbijetojnë në këtë tallavahane e përditshme, (nëse mund të barazohet kjo fjalë me fjalën ‘’mediokritet’’) janë thjesht indiferentë. Shqiptarët bombardohen çdo ditë me Opinione tallava, lajme tallava, këngetarë tallava. Produkti i tyre tallava është më i përtypshëm ne psikikën dhe ndjesitë e njerezve, sepse nuk është i nderlikuar, është i cekët, i prekshem. Fundja, në një vend që cudia me e madhe zgjat 3 ditë, mediokriteti është në hyjnizimin e tij, është mbi piramidën kokëposhtë të vlerave.
Lajmi i mësipërm, i cili në vende të tjera do të përbënte ngjarje kombëtare e do të kishte jehonë ndërkombëtare, (para pak muajsh mori dhenë në masmediat perëndimore lajmi i gjetjes së nje qyteti antik në Greqi) kaloi në subkoshiencen e njerëzve dhe sidomos Shtetit si një meteor, ndriçimi dhe kënaqesia e të cilit zgjasin fare pak.
Në mitologjinë e popujve indoeuropiane e semite, qengji është kafsha totem, që flijohet për të çliruar vllazërinë nga mekati fillestar, është kurbani që merr përsiper fajet e njerëzve duke përseritur kështu skenën e tejlashtë të vrasjes së Atit ose Rendit të vjetër.
Qengji-kurban simbolizon Rendin e Ri të formuar pas shkrirjes së akullnajave. Zotat e rinj të Matriarkatit, si Horus, Dionisi, Orfeu, Attis, Mithra, Krishna, Adonis, Jezusi, po ashtu personifikonin Shtetin e Ri.
Kjo lidhje Shtet-Qengj (Kurban) më erdhi në mendje teksa shurdhohemi gjithë kohës nga heshtja dhe indiferentizmi i atyre që e kanë për detyrë të promovojnë vlerat kombëtare, duke filluar nga Ministria e Kultures globaliste e deri te Akademia e Perkujtimoreve e Qokave të rastit.
Ishte pikërisht profesori polak Piotr Dyczek rreth 10 vjet më pare, kur me ekipin polako-shqiptar filloi të jepte alarmin se germimet arkeologjike në Shkodër e rrethina mund të sabotohen nga vendet fqinje. Teoritë konspirative në një Shtet-Kurban të marrë peng realizohen pak si shpesh për të qenë të tilla. Heshtja e Qengjit para flijimit flet më shumë se analizat gjeopolitike të shërbimeve të vendeve fqinje.
Shpresojmë mos të ndodhi kjo me Bassanine siç po ndodh me Amfipolin e Greqisë, që po flijohet për interesa të medha gjeopolitike, por të fillojnë kërkimet me një financim të fuqishem nga Shteti dhe donatoret.
Përveç faktit se në zonën përreth Bushatit, janë gjetur gjate viteve artefakte, që dëshmonin një vendbanim të vjetër, nje sy i stervitur etnologu, edhe pa qënë në zonë in situ, mund të dallonte diçka interesante.
Nisur nga toponimia ‘’Guri i Gjarprit’’ ose ‘’Kodra e Buzëgjarprit’’ në Bushat, i cili natyrisht nuk e ka marrë emrin nga rruga gjarperushe siç është përmendur në një artikull, do të nxirrte përfundimin e ekzistencës së një tempulli pagan në maje të kodrës ose diku afër saj. Tempulli do të kishte brenda tij Gurin çudibërës, mbase në formën e një kolone ose fallusi dhe do të përbënte objektin më të vyer te tij. Kulti i gurit dhe i gjarprit janë dy nga kultet më të hershme të ilireve dhe shqiptarëve. Zakonisht gurë të tillë (Guri i shenjtë i Shen Vlashit, Durrës ndërtuar mbi një tempull të lashtë mbase i Asklepit) përdoreshin për mjekimin e semundjeve të ndryshme e sidomos frekuentoheshin nga gratë që kërkonin të kishin fëmijë.
Një kërkim i shpejtë në internet, etnologu do të hulumtonte nëse në zonën e Bushatit e perreth kremtohet ose jo festa e Shen Gjergjit. Për habi ai do të shikonte se kjo festë është një nga kremtet më të mëdha të zonës, madje më masivja dhe në zone ka kisha me emrin e të shenjtit Gjergj.
Lidhja mes Gjarprit dhe Shen Gjergjit është emblematike. Shen Gjergji është kalorësi mbi kalë që vret nje dragua ose gjarpër, është simboli i Georgias, bujqësisë, rendi i ri që vret rendin e vjetër, biri i rendit të Matriarkatit vret Atin e rendit të vjetër para zbulimit të bujqësisë.
Me përhapjen e Krishtërimit, çdo tempull pagan i gjarprit ose vend i shenjtë me këtë emer mori emrin e vrasesit të tij, triumfuesit të Krishterimit, Shen Gjergji. Në Shqiperi ka shumë shembuj të tillë, por më i godituri mendoj është ai që i dha emrin krahinës së Shen Gjergjit në afersi të Tiranës.
Në këtë krahine ekziston shpella e Shen Gjergjit si një vend kulti dhe shërimi, e cila mbart edhe një emer tjetër, mbase atë më të vjetrin, Shpella e Astritit, ku Astriti është një lloj gjarperi me ngjyra të shndritshme.
Ekzistenca e nje tempulli kaq të rendesishem do të ngrinte dyshimet shumë kohë më parë për një qytet të madh, pa pritur të vinin të huajt, megjithëse atyre u jemi shumë mirënjohës…
Historia e Romës, Titus Livius
‘’Tani ishte fillimi i pranverës dhe komandantët e rinj kishin mbërritur në provincat e tyre; konsulli Emilius në Maqedoni, Otakusi në Oreum, ku qendronte flota dhe Anicius në Iliri, për të vazhduar luftën kundër Gentit. Ky princ, i cili ishte biri i Pleuratit, Mbretit të Ilirisë dhe Mbretëreshës Euridike, kishte dy vëllezër, nje quhej Plator vella nga të dy prindërit dhe tjetri Caravantius, vella nga nëna. Ky i fundit, si pasardhës i paraardhësve jo fisnike nga babai, nuk paraqiste asnjë lloj konkurrence per fronin; por, për t’i siguruar vetes fronin, ai vrau Platorin, dhe dy nga miqtë e tij më aktivë, Etritin dhe Epikadin. Ishte përfolur se ai u nxit nga xhelozia ndaj vëllait të tij, i cili kishte lidhur martese me Etulën, vajzën e Honuriusit, princ i Dardaneve per te lidhur aleance dhe ky supozim u vertetua kur Genti u martua me të, pas vdekjes së Platorit. Nga kjo kohë, kur u çlirua nga frika ndaj vëllait të tij, trajtimi ndaj nënshtetasve të tij u bë shumë shtypës dhe dhuna natyrore e temperamentit të tij u ndez me teper nga një përdorim i pazakonte i verës. Për të shkuar në luftë me romakët, ai grumbulloi të gjitha forcat e tij, që arrinin pesëmbëdhjetë mijë burra, në Lissus. Prej andej, duke derguar vëllain, me një mijë këmbësore dhe pesëdhjetë kalores për të shtypur me forcë ose terror, provincën e Cavias, ai marshoi në Bassania, një qytet pesë milje larg nga Lissusi. Ndërsa banorët ishin në aleancë me Romën, ai së pari dërgoi emisarë që t’i shprehnin qëllimet e tyre, të cilët i gjetën të vendosur banoret të duronin me mire rrethimin sesa dorëzimin. Në Caira, banorët e qytetit të Burniumit i hapën portat e tyre Caravantiusit, në arritjen e tij; por një qytet tjetër, i quajtur Caravantis, e refuzoi pranimin. Ai shkaterroi tokat e tyre, por shumë nga ushtarët e tij të rrëmbyer u vranë nga fshatarët.
Në atë kohë Appius Klaudius, duke bashkuar me forcën e tij të mëparshme disa trupa ndihmësish të përbërë nga bulinë, apolloniate dhe dyrrahas, kishin lënë vendqendrimet e tyre të dimrit dhe kishin ngritur te tjera pranë lumit Genusus (Shkumbini red.). Pasi dëgjoi traktatin midis Perseut dhe Gentit dhe duke qenë shumë i provokuar nga keqtrajtimi i bere ambasadorëve, ai deklaroi vendosmërinë për të përdorur ushtrinë kundër Gentit. Pretori Anicius, i cili ishte tani në Apolloni, duke u informuar për atë që kaloi në Iliri, i dërgoi një letër Appiusit, duke kërkuar që ai ta priste atë prane lumit Genusos; dhe, pas tri ditësh, ai mbërriti në kamp.
Pasi iu bashkua trupave ndihmëse, të cilat perbeheshin nga dy mijë këmbësore dhe dyqind kalores të Parthinëve (këmbësoria komandohej nga Epikadi dhe kaloresia nga Agalsi), ai u përgatit të marshonte në Iliri, ku objekti i tij kryesor aktualisht ishte ngritja e rrethimit të Basanias. Por operacioni i tij u vonua, sepse nga bregu i detit ishin një numër barkash të armikut. Këto ishin tetëdhjetë anije, të cilat me këshillën e Pantaukut, Genti i kishte dërguar për të plackitur tokat e Dyrrahut dhe Apollonise. Flota romake më pas ishte afër Apollonisë. Anicius erdhi me ngut e me shpejtesi arriti plaçkitësit ilire, i rrethoi duke i mposhtur ata me shumë pak telashe, mori shumë nga anijet e tyre dhe e detyroi pjesën tjetër të tërhiqej në Iliri. Duke u kthyer në kampin në lumin Genus, ai nxitoi për lehtësimin rrethimit te Bassanias. Genti nuk e priste që pretori të vinte; por, duke hequr rrethimin, u tërhoq në Shkodër me nxitim të tillë, sa qe la një pjesë të ushtrisë së tij prapa. Kjo ishte një trupë e madhe e forcave, të cilat, nëse guximi i tyre do te ishte mbështetur nga prania e komandantit të tyre, mund tu kishte dhënë nje mesim romakëve; por, pasi i kishte braktisur, ata u dorëzuan’’.
#Juljan Jano

